Felaini, “tris” në startin e futbollit kinez…

● Belgu, që në prill rezultoi me koronavirus, u rikthye në fushë duke shënuar një “tris” golash në ditën e parë të kampionatit kinez. Shandong Luneng i tij fitoi 3-2 në fushën e Dalian Pro, skuadër që drejtohet nga spanjoli Rafa Benitez, dhe ku luan edhe ish-mesfushori çek Marek Hamsik i Napolit
Me rinisjen e Superligës, në Kinë ka filluar futbolli përsëri. Mjaft domethënës ishte rikthimi në fushën e Maruane Felainit, lojtari i vetëm në këtë kampionat, që kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.
Mesfushori belg 32-vjeçar bëri një rikthim të madh, duke shënuar një “tris” në ndeshjen që Shandong Luneng i tij fitoi 2-3 në fushën e Dalian Pro, që drejtohet nga Rafa Benitez dhe ku aktivizohet edhe çeku Marek Hamsik.
Me ekipin e tij nën trysninë e një goli, Felaini shkëlqeu duke shënuar tri gola, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore të bukur në debutimin e tyre në ligë.
Një gëzim i madh për futbollistin belg, i cili ishte shtruar në spital për tri javë për shkak të koronavirusit edhe pse klubi Shandong Luneng kishte siguruar që 32-vjeçari nuk kishte simptoma.