Shehi: Duam finalen, futbollistët janë heronj
Kukësi skuadra për të cilen të gjithë janë shprehur se ka grupin më cilësor këtë edicion, do të përballet nesër në mbrëmje me një tjetër skuadër mjaft kualitative si Teuta e Durrësit. Luhet akti i dytë i gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë në ‘Niko Dovana’ duke nisur nga 20:45. E vajtjes 0-0 luajtur në Elbasan, lë gjithëçka hapur për kualifikimin në finale. Orges Shehi, durrsaku i pankinës së Kukësit thotë:
Çfarë prisni nga ndeshja me Teutën?
“E dimë se çfarë presim, pasi është ndeshje gjysmëfinale. Kemi një informacion, pasi dimë rezultatin e ndeshjes së parë dhe e dimë se për çfarë shkojmë atje. Është një ndeshje e vështirë, kështu që presim të japim atë që kemi dhënë në të gjithë këtë periudhë, maksimumin tonë.”
Rezultati 0-0, sa besim ju jep?
“Sigurisht Kupa ka një specifikë të veçantë. Është tur me dy takime dhe duke ditur rezultatin e parë, në të dytën je i qartë se çfarë duhet të bësh dhe çfarë duhet të marrësh. Kështu që, është rezultat 0-0, që na jep kënaqësinë që nuk pësuam në fushën tonë, por duhet të bëjmë mirë sepse është e hapur gjithçka.”
Si paraqitet gjendja e skuadrës?
“Sa i përket aspektit fizik, mund të ketë pak lodhje, pasi luajmë në një periudhë jo normale. Ne analizat e të gjitha i bëjmë sikur jemi në kushte normale, por nuk jemi në kushte normale. Sepse të luash çdo tre ditë në këtë situatë, mendoj që të gjithë futbollistët janë heronj. Do mundohem të freskoj skuadrën me shpresën dhe besimin për të arritur maksimumin nesër.”
Keni preferencë për kundërshtarin, nëse shkoni në finale?
“Jemi të fokusuar vetëm te takimi ynë, pasi objektivi ynë është të shkojmë në finale dhe pak rëndësi ka kush del nga krahu tjetër”.