Kukësi mund Tiranën, Partizani ngec në Ballsh
Tirana -Kukësi 1-2 Ngo 94’/ Kuper 58′, Ethemi 83′
Bylis-Partizani 1-1 (Ndreca 18’/ Braun 71′)
Ndalet Tirana dhe për të zbukuruar javët e fundit të Kategorisë Superiore mendon vetë ndjekësi më i afërt Kukësi.
Në ‘Selman Stërmasi’ pas një fraksioni të parë pa gola, e dyta nis me avantazhin e miqve teksa Kuper pas topit të kthyer nga Lika e dërgon në rrjetë. Aq ka mjaftuar që të dyja skuadrat të nisin të bëjnë llogari të reja. Vendasit bardheblu për të barazuar dhe Kukësi për të administruar dhe shënuar sërish.
Ia dalin verilindorët të cilët godasin për herë të dytë me gol klasi të Ethemit. Sërish gabohet në paravijë dhe parabola e mesfushorit kosovar kalon vijën e portës për 0-2.
E dëshpëruar Tirana tenton të shënojë dhe në fakt arrin me Ngonë në të 94-tën. Përfundimisht 1-2.
Në Ballsh:
Dihej që takimi Bylis-Partizani do të ishte i luftuar. Vetë pozicioni i skuadrave në tabelë diktonte. Janë vendasit me një supergol të Edison Ndrecës nga loja e ndaluar. Ngjau në të 18-tën, teksa kurbinasi goditi prirtazi nga e djathta.
Në fraksionin e dytë, Partizani përpiqet të ndyshojë situatën e cila vonon.
Derisa Trashi kroson nga e majta dhe gjen Braun në qendër të zonës, duke barazuar ndeshjen. Ka ndodhur në minutën e 71-të, kur Braun shfrytëzon një pasim nga e majta dhe dërgon topin në rrjetë.
Mëllugja mesfushori vendas merr kartonin e dytë të verdhë në minutat e fundit duke lënë në vështirësi skuadrën. Megjithatë Ndreca më i miri në fushë, gati sa nuk gjen golin e dytë personal dhe të avantazhit për Bylis teksa kronometri po tregonte limitet e lojës.
Edhe Partizani ka një rast ideal me Carën. Kjo situatë prodhoi edhe irritimin e Hidit me futbollistin e skuadrës së tij, Peposhin. Aq sa u ndëshkua me karton të verdhë. Fundi sjell protestat e forta të Sormanit te gjyqtarët. Duket se tani ish- lojtari i Parmës, ka kuptuar se Partizani ka mbetur jashtë Europe.