Egnatia brenda protokollit, dezinfekton ‘Hasan Zylën’
Kategoria e Parë do të nisë në 7 qershor. Me formulën e re të ndarë në grupe e play-off-e. Gjithnjë nëse do vijë ‘vula’ e qeverisë. Skuadrat diku fshehurazi e diku hapur, kanë nisur me kohë stervitjet.
Në disa klube ka nisur edhe nisma për të përmbushur kriterin e paracaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, atë të dezinfiktimit të impianteve sportive.
Në këtë drejtim, Egnatia e Rrogozhinës që garon në grupin A të Kategorisë së Parë mbetet shembull për tu ndjekur. Te ata është kryer faza e parë për dezinfektimin e gjithë ambienteve të stadiumit “Hasan Zyla”.
“Çdo gjë gati për të rinisur. Ambientet e stadiumit janë dezinfektuar pak momente më parë për të qenë gati për rinisjen e kampionatit.
Klubi ka plotësuar te gjitha kriteret e vendosura si dhe ka lidhur kontratë me një kompani dezifektimi sipas kërkesave të FSHF-se dhe Ministrisë së Shëndetësisë“, lexohet në postimin e Egnatias në rrjete.