Idrizi: Flamurtarin e mban ‘ligji për sportin’

Për emisionin ‘FanZone” në Supersport, administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, foli për situatën e krijuar nga pandemia globale, por edhe të ardhmen në klubin vlonjat. Këtë radhë, donatori kryesor i vlonjtëave, e lidhi ngushtë vazhdimësinë me ligjin e sportit. Në fakt, Sinan Idrizi edhe javën e kaluar teksa foli për një tjetër media u shpreh se me situatën aktuale nuk ka ndërmend të zbresë skuadrën në fushë…

A duhet luajtur futboll në këto kushte?
Jo, në këto kushte jo. Unë jam për ndërprerjen e kampionatit dhe për rrëzimin e skuadrave që janë të fundit e shpalljen kampion të skuadrës që kryeson. Pra të jepen verdiktet sipas renditjes aktuale.

E thoni këtë ngaqë Flamurtari nuk ka asgjë për të luajtur?
Flamurtari është në vend të fundit dhe jam dakord që mbijetesa do të jetë e vështirë nëse luhet, por nuk e them për këtë arsye.

Kaq e vështirë është të luhet futboll?
Unë e shoh në një plan tjetër, pasi në rast të infektimit me Covid-19, duhet të mbajë dikush përgjegjësi, në rastin konkret administratori.

Marrëdhënie relativisht të çuditshme me FSHF-në…
Unë vazhdimisht kam ndryshuar qëndrim, në varësi të rasteve, por nuk ndryshoj asnjëherë mendim.

A do të vijoni të mbani ekipin edhe vitin e ardhshëm në Kategorinë e Parë? Nëse po, cili është projekti?
Që të jemi korrektë, dështimin për rënien e Flamurtarit një kategori më poshtë e marr vetë për sipër. Përgjegjësia është e imja për këtë. Vazhdimësia ime në administrimin e klubit, lidhet me ligjin e sportit. Nëse ky ligj miratohet, unë vazhdoj, në të kundërt nuk kontribuoj më në sport, ose maksimumi do të financoj nga jashtë, deri në rikthimin e klubit në Superiore.

Pse e nisët investimin te Flamurtari gati 6 vite më parë?
Unë në atë kohë iu përgjigja thirrjes së trajnerit Ernest Gjoka dhe kryebashkiakut Gjika, të cilët kishin një plan, ndaj që atëherë skuadra më mbeti mua.

Pas kaq vitesh, nuk dukeni më optimist, çfarë ju ka zhgënjyer më tepër?
Prej 6 vitesh këtu nuk ka një vendim, nëse klubi do të privatizohet apo do të jetë publik. Nuk mund të jetë njëkohësisht edhe pronë publike, edhe private.

Pse mendoni se nuk e keni gjetur formulën e suksesit?
Nuk ka mundësi të gjesh formulë suksesi, kur ti investon 100% të shumës në një kompani ku ke zero përqind të aksioneve. Nuk më kujtohet shifra sa kam shpenzuar gjatë këtyre viteve.

Gabuar në menaxhimin sportiv?
Nuk mund të flasësh për menaxhim, pasi ne jemi një klub pa bilance. Unë kam kërkuar që të rregullohen rregullat e lojës dhe të provoj më pas veten time, jam apo jo i aftë për të drejtuar një skuadër futbolli.

Çfarë opinioni ka Rama për këtë çështje dhe pse nuk po e bindni që të miratojë ligjin?
Dje ishte Rama në Vlorë dhe ia bëra të qartë që nuk ka nevojë të ndërtojë stadiume, por thjesht të miratojë ligjin e sporteve, pasi ky është hapi i parë për të thithur investitorë. Askujt nuk i ka interesuar të bëjë një ligj sporti, pasi deri tani të gjithë kanë abuzuar dhe vjedhur fondet, nëpërmjet menaxhimit të fondeve për klubet.

Për ligjin ka munguar vullneti politik, por Rama më ka garantuar se tani është gati dhe do miratohet shumë shpejt. Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri kjo është çështje vullneti, pasi bashkitë në këtë mënyrë nuk ia japin futbollin biznesit dhe e përdorin për ta zhvatur dhe për të majmur anëtarët politikë. Mjafton të shihje zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku 70% e njerëzve ishin përfaqësues të bashkive, ndërkohë që investimin e bëjmë ne privatët.

Si janë marrëdhëniet tuaja me zotin Duka?
Kemi pasur konfrontime të ndryshme, në aspekte të ndryshme, por i kemi sqaruar dhe kaq.

A mund të rimëkëmbet Flamurtari sërish, pasi dihet që ka borxhe të shumta?
Unë kam shlyer borxhe të të tjerëve dhe kështu që nuk kam për të lënë asnjë borxh mbi Flamurtarin. I kam bërë thirrje mikut tim Shpëtim Gjika, që të shkojë të paguajë detyrimet e vitit 2012, për të cilat janë bllokuar llogaritë e klubit dhe më pas unë shlyej menjëherë detyrimet e mia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!