Goleadori i huaj rekordmen… në shifra

Nga Bashkim Tufa

‘Pero Pejiç, 110 golat e tij shqiptarë’!

Sulmuesi kroat i Kukësit, Pero Pejiç, me tripletën që shënoi në ndeshjen Kukësi-Tirana (4-1) për javën e 35-të të Superiores në sezonin 2014-2015, u ngjit në kuotën e 31 golave të realizuar. Si për rastësi, goli i tretë në këtë takim, ishte edhe goli i 110-të i Pejiçit në karrierën e tij shqiptare.

Njëherësh, me 31 golat e shënuar gjatë kampionatit që sapo ka përfunduar, Pero Pejiç, bëhet për të dytën herë radhazi edhe fitues i “Këpucës së Artë” në futbollin shqiptar.

Sulmuesi shtatlartë Pero Pejiç, vështirë ta kishte menduar se kulmin e karrierës së tij do ta arrinte në futbollin shqiptar. 3 tituj kampioni të Shqipërisë (1 me Dinamon, 2 me Skënderbeun), 1 Kupë me Tiranën dhe 1 Superkupë, zbukurojnë vitrinën e tij personale të deritanishme, rrugëtim i suksesshëm ky, duke vendosur edhe disa rekorde, të vështirë për t’u arritur nga futbollistë të tjerë të huaj.

Pero Pejiç do të lindte më 28 nëntor, të vitit 1982 në Marasko të Kroacisë, ku do të niste futbollin, që do të bëhej edhe profesioni i tij. Te Slaven Belupo do ta pikasnin drejtuesit e Dinamos, të cilët do ta bënin të tyre sulmuesin shtatlartë.

Ai do të vinte në Shqipëri në mesin e sezonit 2006/2007 dhe do të shënonte 6 gola, në 14 ndeshjet që u aktivizua. Një sezon më pas, do të shpallej kampion me blutë e kryeqytetit, ndërkohë që ishte afirmuar në futbollin shqiptar, si një sulmues i aftë dhe i rrezikshëm për kundërshtarët.

Në kërkim të një jete më të mirë, Pero Pejiç, do të ndërmerrte një aventurë në Austri, ku do të dështonte për dy sezone.

Më 2010, drejtuesit e Tiranës do t’i bënin ftesë Pejiçit për ta bërë pjesë të tyre. Ai pranon. Në përfundim të sezonit do të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë, me Tiranën.

Sakaq, duket Pero Pejiç e kuptoi mirë, se për vlerat dhe cilësitë e tij, futbolli shqiptar ishte më i përshtatshmi për të. Në gjysmën e sezonit 2011/2012, ai do të vishte fanelën kuqezi të Flamurtarit, me të cilën do të aktivizohej 13 ndeshje. Ofertat për të, tani ishin të shumta.

Skënderbeu kampion e joshi, sa nga performanca, po aq edhe nga financat. Dhe Pejiç nuk do të hezitonte të ndërronte fanelë. Për dy sezone radhazi, do të luante në radhët e Skënderbeut, duke shënuar respektivisht 12 dhe 20 gola në sezon. Gjithashtu, Pejiç do të shpallej edhe dy herë kampion, do të fitonte “Këpucën e Artë” dhe Superkupën e Shqipërisë, çka i mungonin në koleksionin e trofeve të tij.

Për mosmarrëveshje financiare, Pero Pejiç divorcohet me Skënderbeun dhe këtë sezon kalon te nënkampionët e Kukësit, si pikë referimi për sulmin kuksian. Ai ka luajtur 35 ndeshje, duke shënuar 31 gola dhe fituar “Këpucën e Artë” të Superiores.

Në javën e 35-të ndaj Tiranës në “Zeqir Ymeri”, sulmuesi kroat shtatlartë, Pero Pejiç, shënoi golin e 110-të të tij në karrierën shqiptare, në 174 ndeshje të luajtura me fanelën e Dinamos, Tiranës, Skënderbeut dhe Kukësit.

Ky është profili i sulmuesit kroat Pero Pejiç, i cili ka edhe vendosur rekorde personalë, që do të duan vite për t’u thyer nga futbollistët e tjerë të huaj, që luajnë në Shqipëri.

Ja dhe skeda sportive e Pero Pejiçit:

Total: 110 gola në 174 ndeshje (java e 36-të të K76K)
Trofe:
Kampion i Shqipërisë: Dinamon (07/08), Skënderbeun (12/13, 13/14)
Kupa e Shqipërisë: Tirana (10/11)
Superkupa te Shqipërisë: Skënderbeu (13/14)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!