Kur Tirana fitonte titullin e 24-t kampion të Shqipërisë…

Nga Bashkim Tufa

Ditë pandemie globale. Sikurse në mbarë botën edhe në Shqipëri, Kategoria Superiore por jo vetëm, e ka ndalur vrapin. Tirana udhëheq renditjen me 9 pikë më shumë se vendi i dytë. Në lojë edhe 10 javë.

E ndërsa FSHF, pritet të zbardhë një datë për të rekuperuar pjesën e mbetur, për kryesuesen bardheblu, por kryesisht për lexuesit e ‘Sporti im.al’, vjen skeda e plotë e titullit të fundit të Tiranës.

Tirana, kurorëzimi me titullin e 24-t kampion të Shqipërisë

Në sezonin 2008-2009 do të zhvillohej Kampionati i 70-të Kombëtar i Superiores. Në të merrnin pjesë 12 skuadra. Deri në ndeshjen e javës së 33-të, do të rivalizonin ashpër për titullin, Tirana dhe Vllaznia.

Më 24 maj të vitit 2009, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të luhej edhe “finalja” e këtij kampionati midis këtyre dy rivalëve të kahhershëm të futbollit shqiptar. Shkodranët, pas hapit fals ndaj Lushnjës, vinin në këtë takim me 2 pikë më pak se tiranasit.

Vërshëllima e fundit e gjyqtarit sllovak Vladimir Hrinak, i ka dhënë fund ankthit dhe stresit në kampin bardheblu. Kapiteni Devi Muka (3’) dhe Migen Memelli (30’) janë heronjtë e Tiranës, që e fitoi me meritë këtë takim me rezultatin 2-1, ku goli i Xhevahir Sukajt (88’), ishte vetëm për statistikë.

Tapeti i “Qemal Stafës” është pushtuar nga futbollistët, stafi dhe tifozët bardheblu, që me të drejtë kanë festuar titullin e 24-t të Tiranës në gjithë historinë e futbollit shqiptar…

Ky sukses i bardhebluve të Tiranës rikthehet në kampin kryeqytetas pas dy sezonesh të munguar. Rrugëtimi i tyre nisi me trajnerin kroat Bllazhe Slishkoviç, për ta vazhduar me një ikonë e klubit bardheblu si Agustin Kola, për ta mbyllur me drejtorin teknik Alban Tafaji, që në rolin e trajnerit rezultoi “ilaçi” i duhur për Tiranën.

“Arkitekti” i këtij suksesi të merituar të bardhebluve ishte Refik Halili (kuarteti i donatorëve Halili, Ngjela, Nuriu dhe Papuli ishte prishur), i cili pas dy sezonesh e riktheu skuadrën e kryeqytetit të Tiranës, për herë të 24-t në lartësinë e kampinëve të Shqipërisë…

Skeda e plotë: Tirana – Vllaznia 2-1
Shënues: Muka 3′, Memelli 30’/Sukaj 88′.
TIRANA: Nallbani, Agolli, Devolli, Muzaka, A.Lila, Sefa ( S.Lilaj 91′), Memelli (D.Xhafaj 42′), Abraham, Muka (Patushi 61′), Dabulla, Pezo. Trajner: A.Tafaj
VLLAZNIA: Grima, Smajli (Dhëmbi 46′), Shtubina, Sukaj, Sinani, Nallbani, Belisha (Osja 65′), E.Beqiri, Bashiç, Lici, Boadu. Trajner. D.Haxhiosmanoviç.
Gjyqtarë: Vladimir Hirnak, Radomir Sluk, Vlatislav Laskovski (Sllovaki)
Kartonë të verdhë: Agolli, Devolli, A.Lila, Muka / Grima, Sinani, Belisha, Lici, Dhëmbi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!