Tirana sërish gjobë, Partizani e Teuta gjithashtu…

Federata Shqiptare e Futbollit ndjek me korrektësi ‘broshurën’ e saj teksa pas problemëve të shfaqura javën e fundit, arkëton para nga gjobat nëpër impiante të ndryshme ku luhet futboll.
‘Air Albania Stadium’, për të dytën herë mbush arkat e FSHF-së pasi si Tirana ashtu dhe Partizani, janë gjobitur me shuma të konsiderueshme.
Nga vendimet e sotme të Komisionit të Disiplinës nuk shpëton as Teuta e cila pas takimit me Kukësin, gjobitet 100.000 (njëqind mijë) Lekë.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
1. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1, 65/3/c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) Lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.
2. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/2, 65/3c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) Lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.
3. KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1/ dhe 65/3/c) të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë.
4. Pranimin e kërkesës së FK Egnatia, pezullimin e zbatimit të pjesës së mbetur të dënimit.