Edi Reja: ‘Lojtarët të japin 110%, tifozë ejani ndaj Andorrës’


Në prag të takimit të parafundit në Grupin H, për eliminatoret e ‘Euro 2020’ me Andorrën, në program nesër, trajneri i kuqezinjëve Edi Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj, dolën në një konferencë për shtyp.

Përgjatë gjithë minutave në dispozicion, Reja pati emëruesin e përbashkët: ‘Kombëtarja është dashuri, gjithëkush duhet ta ndjejë’.

Tekniku, shpjegoi situatat e reja me lojtarë të caktuar, prurjet e reja dhe në fund, ftoi tifozët ti bashkohën skuadrës në ‘Elbasan Arena’.

 ‘Kam një skuadër inteligjente dhe ua kam thënë se ndeshja me Andorrën është pikë referimi. Duhet një rritje mentale dhe psikologjike. Nuk ka ndeshje të lehjta dhe duhet përballuar me 110%, pa u nënvlerësuar asnjë moment.

Çikalleshi? Çikalleshi na ka dhënë shumë rendiment dhe është mungesë e rëndësishme. Kemi edhe 5 sulmuesë si Kamberi, Manaj, rikthimi i Uzunit. Do t’i cilësoja sulmuesit se kanë një nivel dhe kemi bërë zgjedhje sipas gjendjes fizike deri në atë moment.

Uroj të japë maksimumin kushdo që të luajë. Kam edhe Seferin dhe Balajn që janë në sulm dhe kanë të njëjtin nivel si të tjerët. Edhe djemtë e tjerë na japin rendiment ashtu si Çikalleshi.

Xhaka? Kam folur me të dhe i kam thënë se je i ftuar dhe do të luash në njërën nga ndeshjet. Më ka thënë se është i dëmtuar dhe se ka dalë 10 minuta më parë në ndeshjen e fundit sepse ka një problem muskulor. Nëse një lojtar nuk ndihet në 100% do ta lejojmë të pushojë dhe të rimëkëmbet nga ky dëmtim. U mbyll kjo.

Skema? 4-3-3 është një skemë që e kam përdorur dhe e kam thënë se e kam përdorur. Me 3-5-2 kemi dy sulmues qendrorë, dy lojtarë krahu që u kërkoj të avancojnë dhe dy mesfushorë.

Me këtë formacion kemi më shumë prezencë në zonën e rreptësisë ndërsa me 4-3-3 nëse nuk kemi dy mbrojtës krahu në sulm dhe dy mesfushorë të shpejtë është e vështirë të realizohet. Është e vështirë të punohet duke u grumbulluar 1 herë në muaj dhe këtë modul e kemi provuar dhe djemtë ndihen mirë me këtë formacion.

Mendohet se të luash me 5 mbrojtës të jesh shumë defensiv por varet nga filozofia sepse Trashi, Hysaj dhe Lenjani luajnë dhe ndodh që kemi 3 mbrojtësa. Ky modul nuk duhet konsideruar shumë defensiv sepse ne duam sa më shumë prezenca në zonën kundërshtare.

Debutimi i Kamberit dhe Seferit? Të dy futbollistët ka mundësi që të luajnë në ndeshjen ndaj Andorrës. Kamberi kishte një problem me kaviljen dhe ka bërë stërvitje të diferencuar dhe nëse kemi OK nga ai dhe stafi mjekësor, do t’i jepja minuta.

Mesfusha? Kemi krijuar një ekuilibër në këtë skuadër dhe kemi shumë opsione. Dua që ata që afrohen të jenë të qetë dhe të lumtur që marrin pjesë pavarësisht se kush luan apo jo. Të gjithë mund të luajnë ose mund të ndodhë që nuk je në 11. E vendos trajneri kush luan dhe kush jo. Kemi një grup solid dhe nëse përmendim Grezdën, më vjen keq por nuk pranoi disa situata në grup dhe vendosi të mos pranojë ftesën tonë. Është Shqipëria që futet në fushë dhe kush mendon se është Mesi, për të nuk ka vend në fushë. Rëndësi ka grupi dhe pastaj ka individi.

Dua që në çdo ndeshje të luhet me 110%, të jepet maksimumi dhe mos të ketë lojtarë që futet pa motivacion dhe grindë. Takohemi rrallë herë për t’i dhënë minuta. Pas kësaj ndeshje, do të takohemi në mars dhe duhet motivacion. Janë qindra e mijëra shqiptarë që na ndjekin me pasion edhe në Itali dhe e shohin Kombëtaren si dritë dhe duhet të ndjekin ekipin e tyre.

Për Francën ka intereim, po mesazhi juaj për nesër ndaj Andorrës? Nëse do të ishte për mua do të shkoja derë më derë e shtëpi më shtëpi për të thirrur tifozët. Duhet konsideratë për skuadrën sepse po bën lojë të mirë, por shënon dhe normalisht kërkoj që për këta djem që japin maksimumin të ketë më shumë konsideratë pavarësisht se kush është rivali.

Është ditë pune dhe e kuptoj, por kush ka mundësi e ftoj të na mbështesë sepse futbolli dhe futbollistët kanë nevojë për atë stimul. Për Francën do të flasim pas ndeshjes me Francën’-ka thënë pak çaste më parë Reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!