Duro e shikon Partizanin një hap para…

Trajneri Shpëtim Duro do ta nisë menjëherë me një duel ndaj ish-skuadrës së tij aventurën në stolin e Kukësit. Verilindorët do të sfidojnë të dielën, Partizanin në “Elbasan Arena” për Superkupën e Shqipërisë. Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide, trajneri kryeqytetas i Kukësit, foli jo vetëm për takimin ndaj Partizanit, por edhe për merkaton e Kukësit, për kampionatin që pritet të fillojë pas një jave dhe për disa tema të tjera.

NDAJ PARTIZANIT? Sigurisht që një ndeshje ndryshon, kur lufton për objektiva gjatë gjithë kampionatit dhe ndryshe është situata kur për një ndeshje fiton një trofe. Është i rëndësishëm për të dyja skuadrat, një test pozitiv. Janë dy ekipe që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që, kjo e bën interesante finalen e Superkupës. Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama. Janë linja e krahut të majtë. Kemi punuar gjithë javën, për t’i zëvendësuar, dhe për ta përgatitur këtë takim.

TË LARGUARIT? Puna e merkatos në çdo skuadër është proces. Iu referova këtyre tre largimeve, që kanë qenë tani së fundmi. Shameti ka kohë që nuk aktivizohet. Nuk ka qenë koha në favorin tonë, sepse filloi shumë shpejt. Po tentojmë t’i zëvendësojmë. Ardhja e parë ishte Kotobelli që zëvendëson Rrumbullakun. Sot paraqitet në stërvitje lojtari nigerian që është aktivizuar në Kroaci, që zëvendëson Cuculin. Këtë javë, po tentojmë për një goditje që të jetë në nivelin e Ramës në sulm. Gjici është i gatshëm, po punojmë shumë edhe me Nexhipin për ta plotësuar skuadrën. Duhet edhe koha e duhur për ambientimin me skuadrën. Unë kam dy javë që kam marrë drejtimin e skuadrës. Duke parë Kukësin e sezonit të kaluar, nuk do doja t’i hiqja asnjë centimetër skuadrës. Erdha te Kukësi, sepse nga ajo skuadër sezonin e kaluar, nuk do largoja asnjë centimetër, por këto janë gjëra që ndodhin për arsye të ndryshme. Ka situata të tilla, dikush nuk bie dakord për kontratën me klubin. Valdeti për arsye të justifikueshme, personale, nuk do jetë. Ideja ime ishte që ta mbaja atë skuadër, që mora në drejtim. Baza e skuadrës është, gjysma e atyre që janë larguar nuk kanë qenë të nevojshëm. Kemi marrë Gavazajn, Dakun. Kotobelli, Xhika. E rëndësishme është që baza të jetë. Mund të jenë larguar disa që janë bazë, por shumë të tjerë kanë ikur sepse nuk kanë qenë të nevojshëm. Po nuk largove, nuk merr dot të tjerë. Me ngadalë, skuadra do e marri fizionominë. Do jemi skaudër e fortë, me pikësynime. Nëse marrim 2 lojtarë që kemi në projekt, do jemi mirë.

KUNDËRSHTARI? Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani.

DY NDESHJE RADHAZI? Do kisha dëshirë të paktën të shtyhej një javë kampionati, sepse e thashë, Kotobelli ka 2 ditë që ka ardhur. Partizani është një hap para. Por, kemi kontingjent dhe kapacitet.

ABAZAJ? Po, nuk ka asnjë sekret. Jemi në bisedime. Pastaj, a realizohet, do shohim. Me të po merret Nexhipi. OK-in e fundit e jep presidenti, edhe nga ana financiare. Di që Nexhipi është në tratativa me Abazajn. Nëse nuk bie dakord, kemi edhe një pistë tjetër nga jashtë. Nëse vjen Abazaj, jemi të kompletuar.

EKSODI? Kjo është ekonomi tregu. Futbolli i Kosovës, ka investuar, vjet edhe këtë vit. Lëvizja është e lirë. Disa vijnë në Shqipëri, këta tek ne ikin në Kosovë. Rëndësi ka ndërtimi me cilësi i skuadrës. Janë lojtarë që ndoshta nuk kishin hapësira tek ekipet e mira të Shqipërisë. Është një situatë normale.

PENALLTITË? Me thënë të drejtën, nuk i kemi përgatitur. Do shikojmë edhe sot në stërvitjen e fundit.

KAMPIONATI? Ndonjëherë ato skuadra që kanë pretendime, kanë përgjegjësi më të mëdha se ato që formohen në fund. E mbani mend Danimarkën, që u shpall kampione Europe? Pasi erdhën nga plazhi. Futbolli është i çuditshëm, duhet përqendrim. Këtë vit, ekipet kanë qenë të kujdesshme, dhe e shoh që do jetë një kampionat i niveli të mirë. Vjet, nuk ka pasur rivalitet. Ka qenë vetëm Partizani dhe Kukësi. Të tjerat kanë qenë në disnivel.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!