Ivan Perisiç, “bavarezi” më i ri i Bayernit…
Pas marrëveshjes mes palëve dhe ekzaminimeve mjekësore të kryera dje, kishte mbetur vetëm zyrtarizimi: Ivan Perisiç largohet nga Interi për t’u bërë futbollisti më i ri i Bayern Mynih.
Lajmi vjen direkt nga faqja zyrtare e kompanisë bavareze: “Bayern ka huazuar lojtarin kroat. Nënkampioni i botës do të vijë në Mynih, si i huazuar për një vit dhe më pas do të ketë një mundësi blerjeje, duke filluar nga 30 qershori 2020”.
Kënaqësi e madhe për drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç, i cili deklaron: “Ivan do të na ndihmojë me përvojën e tij shumëvjeçare ndërkombëtare. Ai është teknikisht i fortë dhe është një lojtar fleksibël në sulm. Jam i sigurt që ai do të integrohet shpejt, sepse e njeh mirë kampionatin gjerman, si trajneri Kovaç”.
Fjalët e para edhe për Perisiç: “Jam shumë i lumtur që kthehem në Gjermani. Bayern është një nga klubet më të mëdhenj në Europë. Ne duam të bëjmë mirë jo vetëm në Bundesligë dhe në Kupën e DFB, por edhe në Champions League”.