“Epoka” Konte nis me trofeun “Naranja”
Trofeu “Naranja”, miqësore: Valencia-Inter 1-1 (Soler 38’/Politano 82’(p) (6-7 p.)
“Naranja”, është trofeu i parë i fituar nga Antonio Konte në krye të “zikaltërve”. Pasi kishte fituar më herët ndaj Paris SG dhe Totenhemit, mbrëmë Interi mposhti, po nga pika e penalltisë, spanjolët e Valencias, duke merituar edhe trofeun e këtij eventi veror.
Në “Mestaja” koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, ku Soler në të 38-tën, pas një goditjeje me kokë shënoi për spanjolët, ndërsa në të 82-tën Politano barazoi me penallti, të fituar nga talenti 17-vjeçar Espozito.
Për të përcaktuar fituesin, skuadrat iu drejtuan pikës së bardhë të penalltisë. Këtu, interistët e Kontes u treguan më të saktë dhe fituan 7-6, pasi Garej i Valencia goditi jashtë katërkëndorit të Handanoviçit.