Hamilton magjik, fitorja e 7-të në Grand Prix!

Kampioni i botës së fuqi, britaniku Ljuis Hamilton, fitoi Grand Prix të Hungarisë, duke konfirmuar edhe një here talentin dhe klasin e tij të një piloti të madh. Suksesi i tij i radhës, ishte i 7-ti në 12 garat e këtij botërori, por njëherësh kjo ishte edhe fitorja e 7-të e tij në cirkuitin hungarez.

Fundi i garës së Grand Prix të Hungarisë ishte një dramë e vërtetë. Çdo gjë e llogaritur në detaje, madje edhe pak aventureske nga Mercedes. Por skuderia e mirënjohur gjermane i ka të gjitha. Pilotin Ljuis Hamilton, të shkëlqyer. Stafin teknik, ndër më profesionistët deri në perfeksion. Makina, mjafton të thuash Mercedes!

Ata, 20 xhiro para se të mbyllej gara, e futën pilotin e tyre Hamilton në “pit-stop”, i ndërruan gomat, strategji që në fund rezultoi fituese. Në xhiron e 67-të, tri para finishit, britaniku e parakaloi Maks Verstapen të Red Bullit, duke “i vjedhur” Grand Prix të Hungarisë, që kishte kryesuar që nga starti.

Holandezi, që kishte bërë një garë të shkëlqyer deri në ato çaste, u dorëzua, jo për faj të tij. Ai e pranoi humbjen dhe u ngushëllua me rekordin e pistës, e cila i përkiste legjendës Mikael Shumaker që në vitin 2004. Ai fitoi edhe me cilësimin simbolik të tifozëve, si “Piloti më i mire” i kësaj gare.

Edhe fituesi i vendit të të tretë u përcaktua në finishin e kësaj gare. Ishte një rivalitet brenda familjes, ku gjermani Sebastian Fetel, tri xhiro para fundit parakaloi në sajë të përvojës dhe gomave më të freskëta, shokun e tij të “kokëkuqes”, të riun Çarls Leklerk, që u mjaftua me vendin e katërt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!