A është Lerda, ai që vendos…?

Nga: Isuf MYRTAJ

Kur “Sporti im” i shtroi pyetjen trajnerit Lerda, lidhur me përballjen e dyfishtë me Sherif Tiraspol, ndërsa iu kërkua një impresion, nëse Partizani pas paraqitjes dinjitoze me Karabak në Champions, a duhet të tentojë kualifikimin, italiani me shumë dashamirësi tha: “Partizani e ka thuajse kusht kalimin e turit”.

Sot skuadra e Franko Lerdës, përtej lojës së mirë dhe filtrimit me kualifikimin në Tiraspol, u kthye e eliminuar në Tiranë.

Në fakt, sot, pas atij ballfaqimi dinjitoz dhe golit të Asanit, shtrohet pyetja: Lerda me Asanin dhe Trashin në fushë, a do mund të kishte bërë më mirë në takimin e parë në “Selman Stërmasi”?

Lipset një analizë e hollë. Që Trashi dhe Asani, janë dy nga futbollistët më të mirë të Partizanit, zor se mund të vihet në diskutim kollaj. Atëherë në një kompeticion aq madhor, përse dy lojtarët e nisën nga stoli në të vajtjes?

Lerda është ndikuar, apo nuk ka pasur kohë t’i njohë?! A ka mësuar italiani se për të dy të “panjohurit” ka patur një valë kërkesash nga klube brenda dhe jashtë vendit?

Pse në takimin e dytë, trajneri i hodhi që në krye të herës në fushë (!), pati presion nga klubi, apo vetë Lerda ngriti krye?

Po tani që edhe te klubi i kuq ka pasur mungesë stafi në Tiraspol, apo mosmarrëveshje, çfare ngjet? Obsioni shkarkim, sikundër ngjau me trajnerë të eliminuar në Europë, si Gjoka apo Ramadani, a mund të ngjasë edhe me trajnerin numër 5 italian të “Demave” (Sampaio, Agostineli, Sormani, Juliano dhe Lerda)?

Një mori pyetjesh që një Zot e di se ku dhe kur marrin përgjigje. Ajo që u duk në takimet europiane, por dhe dje në Moldavi, ka të bëjë me forca herë-herë të “kondicionuara” në fushë. Nga dikush. A është ky “dikushi” Lerda?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!