Tavo me flamur të bardhë, braktis Luftëtarin

Kur në 15 shtator 2016, Grigor Tavo mori 75% të aksioneve të Luftëtarit, të gjithë në Gjirokastër, u mbushën me frymë. Sepse më në fund, Luftëtari do të ishte një klub i fortë dhe me financa të garantuara.

Në fakt, Tavo dhe ata që e mbështetën, i vunë kapacitetet e tyre në sherbim të Luftëtarit dhe shpejt skuadra bluzi u ngjit në nivele të larta. Madje me Hasan Likën në timon, arriti për herë të parë të mbërrijë deri në Europa League.

Më pas tatepjeta. Skuadra brilante e Abazajit, Rrocës, Bregut, Shkurtajt, dalëngadalë filloi të humbëte shkëlqimin, aq sa në prag të edicionit të 81-të te Kategorisë Superiore, është vënë në pikëpyetje vijimësia në elitë. Tavo dorezohet.

Këtu gjithçka merr përmasat e një kaosi total dhe Luftëtari mbetet në udhëkryq. Presidenti gjirokastrit ka bërë publike me letrën e hapur se nga sot, nuk është drejtuesi i lartë i klubit jugor:

Të nderuar miq”!

Ndiej detyrimin të komunikoj me të gjithë ju që doni me shpirt dhe zemër Luftëtarin për të sqaruar situatën e vështirë ku gjendet ekipi ynë i zemrës. Në katër vitet që kam drejtuar Luftëtarin, jam krenar që kemi arritur suksese që edhe vetë nuk i prisja.

Kur fillimisht nisa të investoj për këtë skuadër, mendoja thjesht që të ktheja Luftëtarin aty ku i takonte, në elitën e futbollit shqiptar. E realizuam këtë që në vitin e parë pas shumë sakrificash e vuajtjesh, dhe arritëm të festonim atë sukses. Në tre vitet tona në Superligë, siguruam  pjesëmarrjen historike në Kupat e Europës, por mbi të gjitha bëmë që gjithë Shqipëria të fliste me superlativa për Luftëtarin dhe futbollin e tij.

Miq, sinqerisht që sporti dhe veçanërisht futbolli në kohët që jetojmë kërkojne shumë sakrifica, mundim e investime. Në këto katër vite edhe pse kemi një shoqëri aksionere, me disa ortakë, Luftëtari është mbështetur dhe financuar vetëm nga Grigor Tavo.

Nuk mund të harroj në këtë rrugëtim edhe Bashkinë e Gjirokastrës, e cila deri tani ka përmbushur çdo obligim të sajin dhe ka plotësuar më së miri detyrimet dhe investimin që i takon si aksioner tek K.F Luftëtari.

I gjendur në një situate ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftëtarin as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërise në tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm për mua dhe jo vetëm.

Do të largohem nga presidenca e Luftëtarit për t’i hapur rrugë investitorëve të rinj, që ndoshta mund të bëjnë më shumë për këtë skuadër dhe këto ngjyra që  secili prej nesh i ka në zemër.

Dua që në këtë moment të falënderoj të gjithë bashkëpunëtoret e mi, miqtë që më kanë mbështetur dhe veçanërisht tifozerinë e mrekullueshme gjirokastrite, e cila na ka qëndruar pranë në çdo hap.

Dorëheqja ime, kurrsesi nuk mund të shihet si një braktisje, por vjen për të hapur rrugën e investimeve në skuadër për të mundësuar një ecuri sa më të mirë, pasi Luftëtari është më i rëndësishëm se çdo president apo drejtues.

Dua ta mbyll këtë komunikim me premtimin që gjithmonë do të jem tifozi numër një i Luftëtarit.

Sinqerisht, Grigor Tavo”, – ka përmbyllur Grigor Tavo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!