Bayern fiton 3-1, bie në premierë Reali…
Gjyqtari Remi Toushan, në orët e para të mëngjesit të sotëm (02:00), në “NRG Stadium” në SHBA, “zyrtarizoi” fitoren 3-1 të Bayern Mynihut ndaj Real Madridit, në turneun “International Champions Cup”, që po u shërben ekipeve pjesëmarrëse edhe si ndeshje kontrolli.
Epërsinë e pjesës së parë, pas golit të Toliso (15’), bavarezët e thelluan në fraksionin e dytë. Levandosvki (67’) dhe Gnabi (69’) i çuan shifrat në 3-0, ndërkohë që madrilenët golin e “nderit” e realizuan me anë të brazilianit Rodrigo (84’).
Në këtë ndeshje, trajneri i Bayernit, Niko Kovaç aktivizoi 20 futbollistë, ndërsa tekniku i Realit Zinedin Zidan, përdori gjatë 90 minutave 22 lojtarë. Uellsiani Garet Bejl e ndoqi takimin nga shkallët e stadiumit.
Si për Bayern Mynih, por edhe për Real Madridin, ky takim ishte edhe premiera “zyrtare” e të dy ekipeve, për sezonin e ri të Bundesligës dhe La Ligas, që priten të nisin muajin e ardhshëm.