Eureka! Vllaznia gjen trajnerin, Mirsad Jonuz

Vonoi pak, por sot i ka mbyllur përfundimisht të gjitha hamendësimet. Vllaznia tashmë e ka përzgjedhur trajnerin e saj për sezonin e ardhshëm. Madje e ka gjetur jashtë kufinjve të Shqipërisë.

Ai është trajneri 57-vjeçari Mirsad Jonuzi, me një të kaluar sportive si ish-portier në rininë e tij. Pritet që në ditën e ardhshme, maqedonasi të mbërrijë në Shkodër për të nënshkruar kontratën dhe për t’u prezantuar si trajneri i ri i Vllaznisë.

“Ditën e sotme është arritur akordi edhe me trajnerin, që do të drejtojë ekipin e Vllaznisë në vijim. Njeriu i përzgjedhur për këtë arsye është Mirsad Jonuz, një trajner shumë i njohur në Maqedoni dhe jo vetëm. Trajneri maqedonas gjatë karrierës së tij në drejtim ka punuar me disa ekipe, duke filluar nga ai i Rabotniçkit, për të vazhduar me Pobeda Prilep, para se të merrte drejtimin e kombëtares U-21 të Maqedonisë, të cilën do ta drejtonte nga vitet 2003-2009. Në këtë vit i është besuar edhe drejtimi i ekipit të parë të kombëtares së vendit fqinj. Në krye të kombëtares maqedonase ka qëndruar për dy vite, duke e drejtuar në 30 ndeshje.

Pas kësaj, ka punuar në krye të ekipit qipriot Nea Salamis. Ka provuar të jetë edhe drejtor teknik tek FC Horizont Turnovo në vendin e tij, ndërsa në sezonin e kaluar ka qenë trajner i ekipit FC Aiginiakos në Greqi.

Me z. Jonuz drejtuesit e klubit Vllaznia kanë rënë parimisht dakord për gjithçka sa i takon kushteve të kontratës dhe ai pritet që në ditët në vijim të mbërrijë në Shkodër për të firmosur kontratën dhe për t’u prezantuar zyrtarisht para mediave. Pas kësaj, do të vihet në krye të ekipit për të filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik,”- thuhet në njoftimin që ka bërë klubi i Vllaznisë për shtypin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!