Sedorf e mbyll me “luanët” e Kamerunit…
● Holandezi Klarenc Sedorf ka qenë një nga pretendentët për t’u ulur në krye të pankinës së Kombëtares sonë, përpara se FSHF të përzgjidhte Kristian Panuçin.
Aventura njëvjeçare në krye të pankinës së Kamerunit, ka përfunduar për ish-yllin e futbollit holandez, Klarenc Sedorf.
Narcise Mouelle Kombi, ministër i sporteve në Kamerun, e ka kritikuar ashpër trajnerin Sedorf, për lojërat e “Luanëve” në Kupën e Afrikës. Ai edhe ka lajmëruar përfundimin e bashkëpunimit me 43-vjeçarin me origjinë nga Suriname.
“Nuk mendoj se mund të flasim për rinovimin e tij,” ka thënë ministri Kombi i pakënaqur nga puna e Sedorf, pasi kombëtarja e Kamerunit u eliminuar në çerekfinalet e këtij eventi.
Ish-mesfushori i Ajaksit, Interit, Realit dhe Milanit, i cili është edhe një poliglot i vërtetë pasi zotëron 6 gjuhë të huaja, në gusht të vitit të shkuar zëvendësoi suedezin e mirënjohur Sven-Goran Erikson në krye të stolit të Kamerunit.