Luftëtari në kaos, skuadra vetëm në letër…

Skuadra e qytetit të gurtë, Luftëtari i Gjirokastrës, është në një kaos të vërtetë. Madje ajo duket se ekziston vetëm në letër, ndërkohë që për mungesë të “fair” financiar, FSHF e “kërcënon” për mos liçensim pjesëmarrjeje në Superiore.

Ditë më parë, drejtuesit e klubit “bluzi” njoftonin se përgatitjet e Luftëtarit do të nisnin më 15 korrik. Futbollistët “jabanxhinj” porositeshin të ishin një ditë më parë ne Gjirokastër, për të qenë të gatshëm për të hënën.

Në mjediset stërvitore të Luftëtarit, qoftë në stadium, por edhe tek aneksi, të hënën e premtuar të 15 korrikut, nuk u pa askush. As paradite dhe as pasdite. Zëra, lart e poshtë Gjirokastrës, të thonë se fillimi i përgatitjeve është shtyrë për një date tjetër, pa ditur se kur.

Gjithnjë, sipas fjalëve në “Qafën e Pazarit” dhe në sheshin “Çerçiz Topulli”, thuhet se drejtuesit e klubit të Luftëtarit janë në pritje që fjalës së trajnerit grek Ilias Fyntanis, të cilit i kanë propozuar drejtimin e gjirokastritëve.

Thuhet se ai do të kthejë përgjigje nesër, e nëse ajo do të jetë negative, atëherë do të nisin kërkimet për një drejtues tjetër. Edhe pse drejtuesit e skuadrës së Luftëtarit sytë i kanë nga Greqia, askush nuk është në gjendje të të jape një informacion, se nga dhe kush do të jetë trajneri i ri…

Skuadra është një tjetër “dhembje” koke për gjirokastritët. Fillimisht duhet bërë “inventari” për të mësuar kontigjentin e futbollistëve. Ata, më të mirët, titullarët e skuadrës së Luftëtarit, prej kohësh kanë “fluturuar” në kërkim të “një jete më të mire” se sa në Gjirokastër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!