Trajneri Lerda optimist: Ne jemi gati!…
Edhe pse e dielë, ditë pushimi, për Partizanin nuk ka qenë e tillë. “Të kuqtë” kanë qenë në stërvitje, pas së cilës, trajneri Franko Lerda ka folur për median, në prag të ballafaqimit të kthimit me azerët e Karabakut. Italiani, edhe pse e pranon vështirësinë që do të ketë përballë, shprehet se Partizani do të përpiqet të shfrytëzojë shanset e tij në ndeshjen e Bakusë.
“Jemi gati. Të hënën kemi edhe një seancë stërvitore përpara se të nisemi për Baku, por mund të them, se deri tani gjërat po shkojnë mbarë. E kemi riparë ndeshjen e parë, kemi parë me vëmendje aksionet që na interesojnë, si kur nuk e kishim topin, ashtu edhe kur ishim ne në zotërim. Kemi nxjerrë konkluzione pozitive, jemi besimplotë. Atje na pret një ndeshje në kompleks e vështirë, por ne do të luajmë shanset tona. Kemi ende tri ditë kohë. Do të shohim lojtarët që do të jenë më në formë. Loja jonë është që të mbrohemi kur e kanë topin kundërshtarët dhe të sulmojmë kur e kemi vetë. Është edhe mundësia, ndaj duhet të jemi gati edhe nëse do të vijë çështja te penalltitë”.
Besoni te kualifikimi? “Ne kemi besim. E madhe apo jo do ta shohim më pas. Luajmë ndaj një skuadre me një buxhet prej 25 milionë eurosh. Një ekip që është kualifikuar në fazën e grupeve rregullisht, ndaj e dimë se çfarë skuadre është. Por në futboll mund të ndodhë çdo gjë”.
Gjendja ekipit? “Jam shumë i kënaqur me ekipin, por qartësisht kemi ende nevojë të përmirësohemi. Lojtarët e ardhur së fundmi, nuk janë ende të gatshëm dhe kur të jenë do të na japin një ndihmesë më të madhe”, ka deklaruar trajneri i Partizanit, Franko Lerda.
Në orët e para të së martës së 16 korrikut, Partizani do të niset nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit, në drejtim të Bakusë së Azerbajxhanit.
