Interi “e përzë” Ikardin nga kampingu…
Edhe kjo ndodhi. Interi sot i ka mbyllur përfundimisht dyert sulmuesit argjentinas. Mauro Ikardi është njoftuar të largohet nga kampingu i Luganos në Zvicër, ku po stërvitet skuadra “zikaltër”. Ky është njoftimi më i fundit i klubit milanez në faqen e tij zyrtare.
“Mauro Ikardi do të rikthehet sot në Milano, duke lënë kampin stërvitor në Lugano. Klubi dhe sulmuesi argjentinas e kanë marrë këtë vendim me marrëveshje të përbashkët. Ikardi do të vijojë procesin e gjetjes dhe ruajtjes së formës atletike në ditët e ardhshme dhe nuk do të marrë pjesë në Truneun Veror në Azi”, njofton klubi i Interit.
“Aventura” e sulmuesit argjentinas Ikardi, që ka luajtur prej 5 sezonesh në radhët e Interit, teksa ka zhvilluar 188 ndeshje dhe realizuar 111 gola, tashmë është e mbyllur. Shitja e tij është vetëm çështje kohe, ndërkohë që zëvendësuesi i tij, belgu Lukaku është në prag.