Lerda: Sfida e parë, vendimtare…


Sot në orën 17 30, në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, takimi i parë kualifikues në Champions League, Partizani -Karabak.

Pas triumfit të Shkendijës së Tetoves dje ndaj Nome Kalju të Estonisë në Ligën e Kampionëve 0-1 dhe barazimit spektakolar të Feronikelit po dje ndaj TNS në Uells 2-2, sot radha e skuadrës tjetër shqipëtare në UEFA Champions League.

Do të jenë kampionët e Superiores së Shqipërisë, Partizani, ndërsa në orën 17:30 do të presë në “Selman Stërmasi”, Karabak të Azerbajxhanit.

Ndërkaq në prag të turit të parë kualifikues në UEFA Champions League, në kampin e kuq janë të bindur se performanca e Partizanit, do të jetë e destinuar drejt lojës së bukur, pse jo dhe rezultative.

E tha trajneri Franko Lerda, që së bashku me shumë futbollistë të tjerë, u bë pjesë e kampionëve të Shqipërisë këtë verë. Duket se stafi teknik beson fort te paraqitja në miqësorën e fundit të fituar ndaj Krakovës 0-1 me gol të Kardozos në të 76’.

Emra të shumtë nga merkatoja, por në fund Lerda duket se do i besojë më së shumti futbollistëve të edicionit të kaluar, me të cilët Partizani u shpall kampion për herë të 16-të.

Formacionin dje e la enigmë. Me shprehjen “e kam në kokë”, Lerda kaloi te pyetja e radhës. Përballë, Karabaku me histori të madhe dhe kualitete për t’u patur në konsideratë.

Mjafton të kujtosh faktin që vetëm futbollisti i tyre Riçard Almeida, kushton 1.6 milione euro. Gjithsesi, Partizani ka gjithë të drejtën e botës të provojë kualifikimin.

Së paku të realizojë atë që deklaroi italiani i pankines së kuqe në konferencën për shtyp, ndërsa në përgjigje të objektivit për këtë takim, u shpreh:

“Të shohim, të luajmë ndeshjen e parë. Pastaj do të bëjmë llogaritë. Ndeshja e kthimit varet nga ajo që do bëjmë nesër. Do e shohim si ndeshje të vetme, fokusi është te sfida e nesërme”-deklaronte tekniku dje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!