Barazim, Lerda i kënaqur me Partizanin…

sportiim2

Trajneri italian i Partizanit, Franko Lerda, në premierën e tij zyrtare në krye të “demave” të kryeqytetit, arriti të marrë një barazim 0-0 ndaj azerëve të fortë të Karabakut, në ndeshjen e pare të Champions League.

Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, ai nuk e ka fshehur kënaqësinë për lojën e futbollistëve të tij, duke shprehur besim se “të kuqtë” do të tentojnë “t’ia dalin”, sepse pse e pranon, që ndeshja e kthimit në Baku do të jetë edhe më e vështirë.

– A jeni i kënaqur me këtë rezultat, në këtë debutim zyrtar? – Jam shumë i kënaqur, pasi futbollistët e interpretuan mjaft mirë ndeshjen, përballë një kundërshtari mjaft të fortë në nivelin individual. Me pak më shumë fat, mund të kishim marrë edhe 3 pikët, por më pëlqeu shumë ndeshja.

– A ishte një rezultat i drejtë, për atë që dhanë skuadrat? – Ata goditën një traversë nga një pozicion jashtë loje, ndërsa ne goditëm një traversë gjithashtu. Kundërshtari bëri më mirë në qarkullimin e topit, por rastet më të mira i patëm ne.

– Jeni i kënaqur me lojtarët e rinj? – Po. Si Broja, ashtu edhe Brown, arritën të futen mirë në ndeshje dhe të realizojnë detyrat që u kisha ngarkuar.

– A besoni te kualifikimi në Baku? – Atje do të jetë një ndeshje e hapur, pasi rezultati i sotëm e bën të tillë. Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të shpresojmë t’ia dalim.

– A ka nevojë skuadra të kolaudohet më shumë në fazën sulmuese? – Patjetër që kemi ende punë për të bërë, pasi kemi mundësi për të bërë më mirë, por sot kishim një kundërshtar që qarkullon mirë topin dhe kjo na e vështirësonte disi punën në ndërtimin e aksioneve.

?>