Brazili, pas 12 vitesh prek “Copa America”…

“Copa America”, finalja: Brazil-Peru 3-1 (Everton 15’, Gabriel Zhezus 45’+3’, Riçarlison 90’ (p)/ Guerrero 44’ (p)

Të dielën në mbrëmje, në finalen e 46-të të “Copa America”, Brazili mundi 3-1 Perunë në “Marakana” të Rio de Zhaneiros, duke fituar pas 12 vitesh, trofeun e 9-të më të madh të futbollit latino-amerikan.

U mendua se do të ishte një ndeshje, si ajo mitikja e Goliathit me Davidin. Por jo. Peruja nuk ishte në gjendje ta luante rolin e “Davidit”. Më tepër se sa dëshira, asaj i mungonte klasi. Edhe kur “Goliathi” veshur me të verdha, mbeti me 10 lojtarë në fushë për mëse 20 minuta, nuk qe në gjendje të përfitonte, të paktën për ta ballancuar rezultatin.

Çastet e para të lojës flasin për peruanët, që duan të imponohen. Por “seleçao” kaloi në epërsi që në minutën e 15-të, kur Gabriel Zhezus, pasi shmangu dy mbrojtës në krahun e djathtë, do t’i dhuronte një top Evertonit të Gremios, që vetëm ta shtynte për në rrjetë duhej.

Kapiteni veteran i peruanëve, Paolo Guerrero, do të ballanconte gjithçka nga pika e penalltisë në të 44-tën. Tiago Silva kishte prekur një top me dorë, që gjyqtari Vargas e pikas me ndihmën e VAR. Veç fraksioni i parë nuk ka përfunduar. Në të 48-tën, sulmuesi 22-vjeçar Gabriel Zhezus kishte ruajtur një gol për vetë, duke i çuar shokët e tij në dhomat e zhveshjes me kënaqësinë e epërsisë 2-1. E meritonin.

Por “heroi” i Brazilit, talenti Gabriel Zhezus që luan me Mançester Sitin, në të 70-tën do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe do ta linte “seleçaon” me 10 lojtarë në fushë. Edhe pse kjo mungesë nuk do të binte shume në sy, nga stoli do të vinte Riçarlison, që nga pika e penalltie të përfituar nga VAR, do të fiksonte 3-1 fitoren e Brazilit.

“Copa America” është trofeu më i madh i Brazilit nga viti 2007 dhe i pari për trajnerin Tite, i cili e drejton “seleçaon” prej tri vitesh. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Eshtë si rregull i pa shkruar: vendet organizatore thuajse përherë e fitojnë “Copa America”! Brazili për herë të fundit kishte “përfituar” nga organizimi i këtij eventi, më 1989, trofeun e katërt…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!