Merkato, shumë zhurmë për pak gjë!…
● Temperaturat e larta të qershorit nuk po e pengojnë tregun e futbollit edhe në Shqipëri. Problem mbeten financat që e kushtëzojnë këtë proces, ku hidhen themelet e sezonit të ardhshëm…
Nga Erga Kruja Kenga
Futbolli ka heshtur. Ka heshtur së luajturi në fushë dhe nëse nuk do të ishte Kupa e Amerikës, Botërori i femrave apo Euro U-21-shi, mbase askush nuk do të kujtohej për të. Por është një iluzion i gabuar.
Sot, në të vërtetë për futbollin flitet më shunë se kur ai luhet. Një ndeshje zgjat 90 minuta dhe aty përfundon. Ndërkohë një skuadër mund të ngrihet për 90 ditë, dhe që nga mëngjesi deri në darkë, do të flitet për këto lëvizje.
Bëhet fjalë për tregun e futbollit, i cili është mbase më interesant se sa një sezon i tërë. Ka treg në Europë, ku shifrat janë çmendura, por ka edhe në Shqipëri, i cili në këto ditë të nxehta qershori ka nisur fort. Të gjitha duan të përforcohen, por jo të gjitha kanë buxhetet e nevojshme dhe kësisoj, edhe skuadrat kane strategji të ndryshme.
Po e nisim nga Tirana, e cila në këto momente është treguar shumë aktive me afrimin e Toracës, Kales, por dhe Bathës. Ata janë veshur bardheblu dhe do të jetë pjesë e “Tiranës së re” në sezonin e ardhshëm. Një treshe që vjen nga Flamurtari.
Teuta është shndërrruar në një kantier ndërtimi. Mjaft largime, por edhe mjaft prurje. Gjithçka ka nisur nga mbrojtja, e cila thuajse është rinovuar. Po kështu edhe në repartet e tjerë ka lëvizje. Trajnerit Shkëmbi do t’i nevojitet mjaft punë për t’i harmonizuar “djemtë e detit”.
Përpara ka Europa League, por edhe sezonin, ku pretendimet do të jenë për më tepër. Skuadra kurbinase e Laçit, thuajse “fotokopje” e durrsakëve. Të njejtat probleme, po rindërtohet.
Nga një skuadër që kërkon të ngrihet, te një tjetër që po shkon drejt shkatërrimit total. Bëhet fjalë për Flamurtarin. Faji i keqmenaxhimit, apo i Bashkisë? Gjasat duken, se Flamurtari me largimin e thuajse gjithë titullarëve, do të pësojë fatin e Tiranës dhe të Vllaznisë në të shkuarën.
A ka ndonjë plan shpëtimi për skuadrën, kur mendohet se Sinan Idrizi do t’i paguajë lekët e një viti për futbollistët? Askush nuk është në gjendje të të përgjigjet. Në Vlorë po mendojnë qe të paktën të krijojnë një skuadër me pak shpenzime, çka nënkupton edhe pretendime modeste.
Kalojmë te skuadra tjetër që do të na përfaqësojë në Europë. Kampionët e Partizanit kanë prezantuar trajneri e ri, italianin Lerdi, i cili ka patur synime të qarta. Kjo është blerja më e madhe e deritanishme e të kuqve të kryeqytetit. Pa llogaritur këtu afrimit e mbrojtësit Hakaj të Teutës dhe sulmuesin e Kukësit, brazilianin Uilliam Kordeiro.
Sa vlejnë këta për skuadrën? A do të ketë lojtarë të tjerë që do t’i forcojnë kampionët? Drejtori Olsi Rama ka marrë përsipër merkaton e skuadrës së “Demave” që duhet të plotësohet sa për Championsin, por edhe për sezonin e ri.
Ndërkohë skuadra kuksiane është ndër me aktivet në merkato. Janë larguar Rexhinaldo, Kordeiro, ndërkohë që Musta, Avdyli, Markovanbasten, Lulaj, përflitet Dunga, apo edhe ndonjë tjetër që do të plotësojnë vakuumin e krijuar. Gjithsesi, afrimet dhe largimet, flasin se kjo skuadër do të jetë kompetitive në kampionat, por edhe në Europë.
Skënderbeu në “stand-bay”, në pritje të vendimit të CAS-it, ndërkohë që Luftëtari duket drejt shkatërrimit. “Eksodi” nuk ka të ndalur te gjirokastritët, kur dikush duhet të thotë “Stop”!
Në fund Bylis dhe Vllaznia, dy skuadra të mbërritura nga Kategoria e Parë. Të ndryshme të formim, por edhe mentalitet. Shpejt për të folur për to, ndonëse shenjat favorizojnë mallakastriotët, që duken më të organizuar dhe seriozë.