Orges Shehi, Skënderbeu… 25 vite karrierë!

Figura e Orges Shehit është unikale në futbollin shqiptar. Qoftë për jetëgjatësinë si lojtar, qoftë edhe për sukseset e arritura. Si ai, askush. Edhe pse durrsak, Shehi është i vetmi futbollist i Skënderbeut që ka fituar 7 tituj kampioni me skuadrën korçare.

Vitin e shkuar ai i hoqi nga duart dorezat e portierit, që cilat i kishte veshur për herë të parë në vitin e largët 1994 te Teuta. Por nuk u largua nga futbollit. Vetëm se dorezat, në moshën 41-vjeçare i ndërroi me tutat e trajnerit.

Në Korçë, te Skënderbeu, ku nisi një karrierë të re. Këtë rrugëtim retrospektiv, Orges Shehi, ish-portieri dhe ish-trajneri i Skënderbeut është përpjekur ta “skanojë”, duke u ndaluar në ngjarjet më pikante në një rrëfim për “RTSH Sport”.

TRAJNER APO LOJTAR? “Pas një viti si trajner, nëse do jepej mundësia të zgjidhja, do vendosja të isha lojtar. Kush i ka provuar të dyja më jep të drejtë në atë që po them. Si lojtar ke pozicionin tënd, stërvitesh rregullisht, nuk ke përgjegjësi për 30 vetë. Si trajneri duhet të programosh gjithçka, kurse si lojtar pushon një ditë pas ndeshjes. Si trajner duhet të nisësh të mendosh për gjithçka direkt”.

EKSPERIENCA NË KORÇË? “Atje kam kujtimet më të mira, kam fituar gjithçka. Nëntë vite nuk janë pak. Kam respektin maksimal për ata njerëz atje, jemi rritur bashkë. Në fillim nuk kishim as fushë, shkonim në Pogradec, kurse sot është një mrekulli. E përsëris, jemi rritur bashkë vit pas viti”.

NDESHJA MË EMOCIONUESE? “Ka shumë momente, e kam nisur që në vitin 1994 dhe janë shumë vite. Vitet e fundit, pasi luajtëm në nivele shumë të larta, në futbollin e madh, emocionet kanë qenë të shumta. Kualifikimi në grupet e e Europa League, të dyja herët, kanë qenë emocionuese”.

PENGU? “Kam luajtur shumë, kam sakrifikuar shumë, kam dhënë dhe kam marrë nga futbolli. Para 10 vitesh mund të qëndroja në Izrael, por u ktheva. Ai moment mund të jetë një peng, por nuk bëhem pishman. Episodi më i dhimbshëm ka qenë kur humbëm me Partizanin titullin kampion javën e fundit. Theva gishtin dhe luajta 83 minuta ashtu, më pas këputa ligamentin dhe u operova”.

PUNA SI TRAJNER? “Ishte eksperienca ime e parë. Kur m’u ofrua posti i trajnerit kam qëndruar një javë pa gjumë. Nuk dija nga ta nisja, duhet të flisja me miqtë dhe ish-trajnerët. E nisëm me vështirësi, ishte eksperiencë e bukur. Gjithë kohën je në tonus dhe ka shumë adrenalinë. Më ka shërbyer dhe më ka vlejtur shumë kjo eksperiencë”.

PRANIMI I OFERTËS? “E kam thënë edhe herë tjetër që e kisha detyrim të rrija, ishin 8 vite. Kisha pak dilema, pasi po i hyja një bote të re. Ishte një vit tranzicioni, shumë lojtarë m’u larguan. Ikën Vila, Nimaga dhe Gavazaj, ndaj ulej cilësia. Shumë lojtarë luanin për herë të parë. Krahasimi me Skënderbeun e viteve të shkuara ka ndikuar tek ata. Më gjithë ndryshimet e bëra, them se kemi bërë mirë. Jam koshient që është diçka e re, si vit i parë kam për të përmirësuar. Një mik më tha se kam 30 vite e nuk di asgjë. Çdo ditë ka probleme të reja”.

NDESHJET E PARA? “Superkupa ishte moment i rëndësishëm. Nuk kishim shumë kohë dhe donim ta fitonim atë trofe. Do të thotë shumë që ia dhamë një trofe Skënderbeut, sado simbolik që është. Menduam për atë ndeshje me Laçin dhe e fituam. Më pas menduam për Partizanin, e mundëm dhe nuk gëzova vetëm unë, por gjithë qyteti i Korçës”.

ARRITJA E MADHE? “Grupet e Europa League ishin arritja më e madhe. Unë doja ta lija sportin, por nuk më lanë, më mbajtën me zor, në mënyrë figurative. Isha protagonist dhe kjo ishte pika më e lartë e imja. Nuk e lashë sportin se nuk mundja. Ishte momenti që të nisja një rrugë të re. Diferenca me shokët më bënte të mos e ndieja veten mirë brenda grupit. Unë isha 40 vjeç, të tjerët nga 17. Unë djalin e kam 15 vjeç. Nuk e kisha menduar që do luaja aq gjatë. Mendoja të luaja 10 sezone dhe e shihja si arritje. Nga 10 u bënë 24”.

SAKRIFICAT? “Është e vështirë të jesh larg familjes, vitet ikin. Familja ka merita e suksesit. Ata e ndjenin mungesën time, por më kanë përkrahur. Duke e bërë diçka të tillë, them se është merita e tyre. Tani jemi bashkë dhe na ndihmon ajo ideja që nuk do ikja larg”.

LARGIMI? “Nuk do jem çdo ditë në Korçë, por futbollit nuk i dihet. Kam kaluar 9 vite, kam lënë shumë miq atje. Telefoni nuk ka pushuar. Më së shumti më kanë telefonuar nga Korça. Do më mungojë, por do mundohem të vazhdoj përpara. Ndarjet nuk janë të lehta, por kjo është jeta. Është zgjidhja ime dhe e familjes, sa kohë e deklaroj unë. Një nga shtysat është që Skënderbeun po e lë, është fakti se është në moment të mirë, jo si vjet. Mund të bënim akoma më mirë, e renditëm të gjithë së bashku skuadrën në zonën Euro. Kam besim se Skënderbeu do e fitojë çështjen në KAS dhe do ketë vite të mirë në vazhdim”.

RAPORTI ME TAKAJN? “Marrëdhëniet me Takajn janë normale. Tani ka më pak telefonata. Ata janë miqtë e mi dhe do të vazhdojnë kontaktet. Normalisht nuk do të jenë të shumta. Unë e bëra detyrën si trajner, aty nuk më mbante kontrata. Ajo më përfundoi. Mediat këtë punë kanë, duan informacione. Pa mediat nuk do ishim këtu, i përshëndes. Nuk më bezdisin fare. Ishte gjithçka në kuadrin e fjalëve”.

MIQTË MË TË MIRË? “Arapi ka qenë miku më i afërt, qëndrova 6 vite në shtëpi me të. Më pas rrija me Muzakën. Me ata që qëndroja në shtëpi, rrinim më shumë. Arapin e kisha edhe nga Durrësi dhe me të kam kaluar më shumë kohë se me fëmijët e mi. Udhëtonim edhe drejt Durrësit së bashku”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!