Laçi në jubile, flet Edi Martini

●Më 16 maj 2009, bardhezinjtë e trajnerit Edi Martini, ngjiteshin zyrtarisht në Kategorinë Superiore. Trofeun e kampionit, e dorëzoi Presidenti i FSHF-së z. Armand Duka. Sot një dekadë suksesi në elitë, me dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë.
Isuf Myrtaj
Si sot dhjetë vite më parë, Laçi i drejtuar nga trajneri Edi Martini dhe ndihmësi i tij Esat Rakiqi, zgjohej si kampion i Kategorisë së Parë, ndërsa një ditë më parë, mundte në Laç, Naftëtarin e Kuçovës në shifra tenistikë 7-5. Që prej asaj dite, bardhezinjtë, nuk kanë bërë asnjë devijim prapa, duke garuar potnecialisht në Kategorinë Superiore e në Kupat e Europës.
“Sporti IM”, në këtë përvjetor jubile të kurbinasve, kontaktoi sot ish-trajnerin kampion të Laçit, shkodranin Edi Martini, duke i kërkuar të japë detaje nga e shkuara e suksesit të madh të një dekade më parë në krye të bardhezinjve.

Martini, 10 vite më parë, e ngjitet Laçin në Superiore. Çfarë kujtoni nga ai kampionat i largët?
“Momente magjike. E mora drejtimin e skuadrës në një moment që duhej të bënim hapin e madh, atë të ngjitjes në Superiore. Pasi mora besimin e presidentit Laska, u hodhëm në terren. Grupi ishte i fortë. Kishim emra si Kastrioti, Burreli, Luftetari etj. Në fund ia dolëm, ndërsa mundëm Naftëtarin në Laç (në kalendar ndeshja parashikuar në transfertë, ndërsa me pëlqimin e klubeve dhe miratimin e sektorit të garave, u spostua në Laç. Shënim i Sporti IM) në një takim festiv me bollëk golash. Festa ishte e madhe, skuadra kishte që nga 2005 që përpëlitej në Kategori të Pare”.
Këmbëmbari Martini, Laçi që nga ajo ditë, qëndron fort mes të mirave në Superiore…
“Shikoni, klubi e mori seriozisht. Që kur unë erdha te Laçi, u mundova të hedh ide bashkëkohore të funksionimit të një klubi. Ishte shumë e lehtë, sepse dhe presidenti Laska, ishte që asokohe një vizionar dhe këmbëngulës. Jam krenar që stërvita djem si Xhetani, Tanushi, Ivanaj, Shazivari, Nimani, Lini, Shytani, Sekseni apo portierët Rama e Bakaj, e shumë të tjerë”.
Nga futbollist klasi me Vllazninë dhe Enitraht Frakfurt, në një trajner kampion, sot çfarë bën Martini?
“Kam drejtuar disa skuadra si Vllaznia, Luftëtari e Teuta, por së fundi, po merrem me punët e mia private. Një gjë ju garantoj, do kthehem shumë shpejt i fortë, në profesionin e trajnerit, pse jo dhe drejtuesit…“
Vllaznia, skuadra juaj e zëmres këtë edicion, u kthye në sofrën e më të mirave. Pavarësisht kësaj, ju shpesh kritikoni mënyren e funksionimit të klubit.
“Nuk mund ta fsheh që Vllaznia është “jeta” e çdo shkodrani. Mua ndoshta më dhëmb më shumë, pasi aty jam formuar si sportist dhe kam arritur majat. Atë që i kanë bërë Vllaznisë dekadën e fundit, më mirë mos ta them. E kanë përdorur si “leckë” për interesa të ngushtë. Gëzohem që është kthyer pas atij turpi historik të zbritjes në Kategori të Parë. Uroj të formësohen, siç i takon klubit legjendar”.
