Gega “i pangopur”: Do doja më shumë pikë!

Kemi nevojë për afrime, sikurse Reali dhe Barcelona. Kam dëshirë që ky grup të respektohet. Sezoni i ardhshëm do jetë ndryshe, do na presin si kampionë.

Skënder Gega ka dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjes me Teutën dhe ka folur si kampion. Trajneri i Partizanit, ka prekur dhe folur për shumë çështje, por gjithnjë duke kërkuar për të mos e ulur tempin e punës.

“Çdo ditë po bëhet edhe më e vërtetë ajo që kemi arritur. Kishim emocione pas ndeshjes. Ndoshta dukej e pabesueshme. Sot jemi më të qetë dhe kemi punuar gjatë javës. Nuk ka mbaruar asgjë. Të shohim përpara”, – u shpreh trajneri Gega.

VAZHDIMËSIA – “Kemi plane, kemi një ide që këtë javë që ata që nuk kanë pasur hapësira, të luajnë. Kanë dhënë kontributin e tyre edhe ata. Impenjimi ka qenë maksimal, veç Alban Hoxhës që e kemi lënë pushim për shkak të probleme shëndetësore. Shoh që lojtarët po kënaqen në stërvitje dhe shfaqen gjëra që s’i kemi provuar. Shkojmë në Durrës për të luajtur futboll, nuk kemi presionin e dështimit. Përfaqësojmë Partizanin dhe do luajmë me dinjitet. Fusha do tregojë kush e meriton fitoren. U arrit objektivi kryesor, titulli. Do doja të kishim sa më shumë pikë. Do i shikojmë ndeshjet me radhë, bëjmë më të mirën me Teutën. Pastaj me Kukësin. Do jetë pranë festës dhe do i marrin me radhë. Kështu duhet të funksionojë”.

MERKATO – “Kur e kam nisur, baza ka qenë. Nuk ishte brilante, pasi kemi pasur probleme. Edhe Ibrahimi që u tha se ishte ne limite, u rrit dhe korrigjoi veten. Ndërhyrjet nuk do jenë drastike. Nuk është vetëm Championsi sezoni ynë, punojmë për të ardhmen. Nuk do tentojmë të bëjmë spektakël. Kemi nevojë për afrime, sikurse Reali dhe Barcelona. Kam dëshirë që ky grup të respektohet. Po të ishte për mua, do i mbajmë të gjithë. Sezoni i ardhshëm do jetë ndryshe, do na presin si kampionë. Kam lexuar emra, por asnjë nuk është në lupën time apo të kemi bërë biseda. Nëse bashkohet dëshira dhe mundësitë, pse jo. Shitjet? Nëse një lojtar fiton titullin pas 26 vitesh dhe merr një ofertë shumë të mirë, do e mbështesja. Gjithsesi ka marrëveshje mes tij dhe klubit, janë të tjerë që drejtojnë”, – ka deklaruar ndër të tjera trajneri i kampionëve të Partizanit, Skënder Gega, një ditë para transfertës ndaj Teutës në “Niko Dovana”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!