FSHF, për skuadrën e 20-të të së Parës…
Përjashtimi i Kamzës nga Superiorja dhe zbritja e saj direkt në Kategorinë e Dytë, kishte krijuar një paqartësi, se si do të përcaktohej skuadra e 20-të e Kategorisë së Parë në sezonin e ardhshëm. Këtë precedent, tashmë FSHF e ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi i faqen e saj zyrtare.
“Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, në ineterpretim të rregullores së aktivitetit, dëshiron t’ju informojë në lidhje me skuadrën, e cila do të plotësojë numrin e klubeve në Kategorinë e Parë për sezonin 2019-2020.
Dy ekipet që humbasin ndeshjet play-off do të zhvillojnë një ndeshje finale midis tyre për të përcaktuar skuadrën e tretë që do të qëndrojë, ose ngjitet në Kategorinë e Parë”, – shprehet FSHF duke zbardhuar një pike mjaft të diskutueshme në fund të këtij sezoni.
Një gjë është e sigurtë, Vora dhe Tomori, përfundimisht kanë zbritur në kategorinë e dytë, ndërkohë që Shënkollit dhe Elbasanit, iu shtohet edhe një mundësi të dytë për të qëndruar në Kategorinë e Parë.