Barcelona-Ajaks, dashuri e hershme…

Pas mesfushori De Jong dhe qendërmrojtësi De Ligt gati të nënshkruajë për katalanasit. Ditët e ardhshme pritet zyrtarizimi

Dashuria midis Barcelonës dhe Ajaksit është e hershme. Ajo lidhet me emrin e Johan Krujfit, një legjendë në futbollin botëror. Holandezi “fluturues”, është një nga arkitektët e Barcelonës së sotme. Mentaliteti, filozofia e lojës se tij vazhdojnë edhe sot të jetë “busull” në akademinë “La Masia” të katalanasve.

Barcelona e Mesit me shokët, zhgënjeu në gjysmëfinalen e Championsit ndaj Liverpulit dhe u eliminuar në “Anfild Roud”, pas një kryevepre të “reds”-ave të Klopit. Por kjo nuk do të thotë se katalanasit janë dorëzuar. Ata po punojnë për sezonin e ardhshëm dhe kanë nisur përforcimin e skuadrës.

“Supermarketi” i tyre, Ajaksi. Mesfushori i talentuar, Frenki De Jong, i cili të dielën mbush 22 vjeç, tashmë mund të konsiderohet i Barcelonës. Ai ka nënshkruar kontratë me katalanasit, madje dhe është ndarë me tifozët e Ajaksit, që e përcollën me ovacione për kontributin që ka dhënë për skuadrën e “harkëtarëve”.

Por të dielën në “Johan Krujf Arena”, ku Ajaksi pas fitores 4-1 ndaj Utrehtit siguroi titullin kampion të Holandës, në stadium ishin të pranishëm edhe emisarët katalanas.

Synimi i tyre është qendërmbrojtësi Mathijs de Ligt, që edhe pse ende nuk i ka mbushur të 20 vitet, aksionet e tij janë rritur mjaft pas performancës së Ajaksit në Champions.

Thuhet se katalanasit janë gati të japin 70-75 milionë euro për mbrojtësin De Ligt, me të cilin dhe menaxherin e tij Raiola, parimisht është rënë dakort. Tani mbetet të nënshkruhet kontrata dhe të zyrtarizohet edhe kalimi i mbrojtësit të ri të talentuar në radhët e Barcelonës.

Katalanasit, nga udhëtimi në Amsterdan, po kthehen mesa duket në Barcelonë me një paketë të talentuarish, mesfushorin De Jong dhe mbrojtësin De Ligt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!