Luftëtari për histori, të tjerët për krenari…

Kupa e 67-të e Shqipërisë në ankand. Nesër, pas ndeshjeve të kthimit, mësohen finalistët. Në letër, të gjithë favoritë për t’u kualifikuar

Nesër, në orën 17:00, startojnë ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së 67-të të Shqipërisë. Eventi më i rëndësishëm në futbollin shqiptar pas kampionatit, që edhe pse më i vogël, të siguron një “biletë” për në Europa League.

Në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës do të përballen Skënderbeu-Kukësi, ku në Kamëz kanë fituar 2-1 kuksianët, ndërsa në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit Tirana-Luftëtari, do të zgjidhin barazimin 0-0 të Gjirokastrës.

Në letër, vështirë ta përcaktosh fituesit. Verilindorët kanë epërsinë e fitores, ndërsa korçarët, atë të fushës së tyre. Në Tiranë, gjithçka është e barabartë. Të dyja skuadrave u duhet fitorja për t’u kualifikuar. Brenda 90 minutave? Ta do mendja që po, ndonëse rregullorja parashikon edhe shtesat, edhe penalltitë.

Ndër 4 gjysmëfinalistët, Luftëtari është më i vogli, më modesti. E synon finalen për herë të parë, për të bërë histori, për të shkruar emrin e tij në librin “e artë” të futbollit shqiptar. Gjirokastritët, vetëm një herë, në kampionatin e largët të sezonit 1977-78, janë renditur të dytët, duke u krenuar me atë titull nënkampioni, tashmë të harruar nga vitet…

Skënderbeu, pasi ka humbur titullin si kampion në fuqi, do të përpiqet të paktën për të ruajtur Kupën e Shqipërisë, si një shenjë nga e kaluara e lavdishme prej afro një dekade. Edhe pse ka qenë 6 herë finaliste, korçarët kanë vetëm një kopje të këtij trofeu, atë të vjetshmin, ka në koleksionin e tyre. Ata, nëpërmjet Kupës, kërkojnë ta fitojnë një “biletë” për në Europë, pasi në kampionat kanë ende pengesa dhe vështirësi për të kaluar.

Kukësi, më i ri në moshë, por jo në trofe dhe suksese. Në Kupën e 62-të dhe atë të 63-të, ishte finalist, për ta shijuar Kupën e 64-t të Shqipërisë, në sezonin 2015-2016. Në të vërtetë, ndër gjysmëfinalistët, skuadra verilindore e ka siguruar pjesëmarrjen në Europa League nëpërmjet vendit të dytë në kampionat, por gjithsesi Kupën e synon për lavdi.  

Tirana është “kampionia” e Kupës së Shqipërisë, 24 herë ka qenë finaliste e këtij trofeu, ku në 16 raste edhe është shpallur fituese e saj. Shpreson mjaft t’i kalojë gjirokastritët dhe ta fitojë Kupën e 67-të të Shqipërisë. Si për lavdi, por edhe për të justifikuar emrin, historinë, pas një sezoni me mjaft dritë-hije për bardheblutë e kryeqytetit.

Kush do të kualifikohet në finalen e Kupës së 67-të të Shqipërisë? Të presim…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!