Liverpuli, rimerr kreun midis lotëve…
● “Reds”-at fituan 3-2 pas një loje tepër të luftuar. Edhe pse dëmtimi i Salah në dukje i frikshëm, egjiptiani do të jetë i gatshëm për Klop
Liverpuli nuk shëtiti në “St. James Park” përballë Njukasëllit. Përkundazi, “Reds”-at vuajtën shumë për të siguruar fitoren 3-2 ndaj djemve luftarakë të Rafa Benitezit dhe për të rimarrë kreun e renditjes në Premier League.
Holandezi Van Dajk çeli rrugën e golave në minutën e 13-të. Salah, në minutën e 28-të, i çoi shifrat në 2-1, pasi Atsu kishte barazuar 8 minuta më pare. Por Njukasëll nuk kishte ndërmend të dorëzohej.
Në të 54-tën minute Rondon fikson shifrat 2-2. Situata përkeqësohet për skuadrën e Klop. Në minutën e 73-të, Salah përplaset me portierin Dubravka dhe lë fushën e lojës mes lotësh e dhembjesh. Gjithsesi spektakli në stadiumin e Njukasëllit do të mbyllej me fitoren e Liverpulit.
Në minutën e 86-të, Shaqiri do të ekzekutonte një faull në portën kundërshtare, ku Origi që zëvendësoi Salah, do ta dërgonte topin në rrjetë, duke fiksuar shifrat 3-2 për “Reds”-at që rimarrin kreun e renditjes.
Pas ndeshjes, trajneri gjerman Jurgen Klop ka folur edhe për dëmimin e Salah, duke i qetësuar tifozët e “Reds”-ave. “Fola me të pas ndeshjes. Ai u përplas me portierin dhe doktori i tha që duhej të dilte jashtë. Nuk ishte një dëmtim serioz dhe e ka ndjekur ndeshjen nga stoli për 15 minuta”.
Me këtë fitore, Liverpuli rimerr kreun, duke u ngjitur në kuotën e 94 pikëve, teksa kanë vetëm një ndeshje për të luajtur, atë ndaj Volvesit në “Anfield”, të dielën e ardhshme.
Megjithatë fati i titullit nuk është në dorën e tyre, por në atë të Mançester Sitit, që aktualisht mban vendin e dytë me 92 pikë. “Qytetarët” kanë edhe dy takime për të luajtur, me Leiçesterin të hënën dhe Brajtonin të dielën e ardhshme.