Kupa, “kapak floriri” për t’u justifikuar…

Kukësi-Skënderbeu, në orën 16:00, do të përballen në stadiumin “Fuat Toptani” të Kamzës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së 67-të të Shqipërisë. Pritet të jetë një përballje e fortë, e vështirë për të përcaktuar fituesin.

Kuksianët, do të luajnë në “shtëpinë” e tyre të re, në Kamëz. Nëse ata duket sikur e kanë konsoliduar vendin e dytë në kampionat, çka përkthehet në një “biletë” për në Europë, ambicia e tyre është fitimi i Kupës së Shqipërisë. Ky trofe, edhe pse më “i vogël” se sa titulli, mund të justifikojë investimet e bëra dhe ta ngushëllojë disi presidentin Gjici.

“Ujqërit” e Skënderbeut, pasi e kanë dorëzuar titullin “e kampiones në fuqi”, tani me të drejtë synojnë fitimin e Kupës së Shqipërisë. Të renditur në vendin e 6-të, duke patur përpara Laçin, Teutën dhe Flamurtari, që e synojnë vendin e 3-të, kjo është mundësia e vetme e Skënderbeut për të siguruar një “biletë” europiane.

Ndaj edhe themi, se fitorja e Kupës së Shqipërisë, për secilën prej këtyre dy skuadrave, do të jetë si “një kapak floriri” që do të shërbejë si justifikim, si për Kukësin, ashtu edhe për Skënderbeun.

Duke i përjashtuar problematikat e skuadrave, pasi justifikimet nuk kanë vlerë, është rasti për të thënë, se në gjysmëfinalet e Kupës së 63-të të Shqipërisë, Skënderbeu është përballuar me Kukësin. Takimi i parë në Korçë ka përfunduar 1-1, ndërsa në të dytin Kukësi ka fituar 1-0.

Atë sezon, Kupën e Shqipërisë e meritoi skuadra kurbinase e Laçit, e cila në finale fitoi 2-1 ndaj Kukësit në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës.

Takimi i kthimit për gjysmëfinalet e Kupës së 67-të të Shqipërisë, i çiftit Skënderbeu-Kukësi do të luhet në stadiumin e Korçës, më 8 maj, ku do të përcaktohet edhe skuadra finaliste e këtij eventi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!