Në Gjirokastër, “për jetë a vdekje”…

Nesër, në orën 16:00, në stadiumin e Gjirokastrës, do të luhet Luftëtari-Tirana, ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së 67-të të Shqipërisë. Por ky është vetëm “akti” i parë i këtij “thrilleri” me dy seri.

Pas 4 ditësh, të dielën e 28 prillit, po këto personazhe, “bluzinjtë” gjirokastritë dhe “bardheblutë” e kryeqytetit, do të përballen sërish në Gjirokastër për llogari të javës së 31-të të Superiores.

Si për Kupë, por edhe për kampionat, asnjëra nuk hap rrugë. Të dyja duan të fitojnë. Bardheblutë e Tiranës mund të jenë të kënaqur edhe me barazime.

Humbja për ta, veçanërisht për kampionat, ia vështirëson tej mase mbijetesën. Gjirokastritët kanë 2 pikë më tepër se sa tiranasit që ndiqen nga Kastrioti.

Për Kupë është më ndryshe, pasi është edhe takimi i kthimit në kryeqytet dhe mundet të korrigjosh ndonjë gabim të ndeshjes së nesërme.

Në letër, gjirokastritët e Luftëtarit, janë favoritë. Në tri takimet e mëparshme të këtij sezoni, “bluzinjtë” fillimisht kanë humbur 3-1 në “Selman Stërmasi”, për të fituar më pas 2-1 në Gjirokastër dhe barazuar 1-1 brenda në Tiranë.

Prognoza e këtij takimi, luftë “për jetë a vdekje”! Në të dy frontet. Takimi i dytë i gjysmëfinaleve të Kupës së 67-të të Shqipërisë, do të zhvillohet më 8 maj, në stadiumin “Selman Stërmasi” të Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!