Dortmundi “i përgjigjet” Bayernit…
● Borusia fiton 4-0 në transfertë, duke vazhduar garën me Bayernin për titullin kampion të Bundesligës. Diferenca vetëm 1 pikë
Në në ndeshjet e javës së 30-të në Bundesligë, Borusia i është përgjigjur bindshëm Bayernit. Skuadra e Dortmundit ka fituar thellë me shifrat 0-4 në transfertën kundër Freiburg.
Seria e golave nisi që në minutën e 12-të me anë të Jadon Sanço, për t’u pasuar edhe nga tri gola të tjerë me autorë Rojs (54’), Gëtze (79’) dhe Alkaser (87’). Me fitoren e sotme verdhezinjtë e Borusias renditen në vendin e dytë me 69 pikë, 1 më pak se Bayerni kryesues.
Dje, bavarezët e trajnerit kroat Niko Kovaç, me vështirësi arritën të fitonin 1-0 në “Alianz Arena” ndaj Verderit të Bremenit. Mesfushori Shule shënoi në pjesën e dytë golin e vetëm të takimit, që siguroi 3 pikë mjaft të vlefshme Bajernit.
Pas javës së 30-të, bavarezët e Bayernit kryesojnë renditjen e Bundesligës me 70 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Dortmundi i ndjek me 1 pikë më pak.