Liverpul rimerr kreun në Kardif…
● “Reds”-at e Klopit fitojnë në Uells dhe ngjiten në krye. Everton dhuron spektakël dhe turpëron Junajtid. Nga humbja e “djajve” nuk arrijnë të përfitojnë “topçinjtë” e Londrës
Si përherë, edhe në javën e 35-të, Premier League ka dhuruar spektakël dhe rezervuar surpriza. “Reds”-at e Liverpulit, ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk gabuan në Uells.
Ata ushtruan presion gjatë lojës ndaj Kardifit, duke fituar me rezultatin 2-0. Mesfushori Vijnaldum (56’) dhe Milner (81’) nga pika e penalltisë, ishin autorë të golave.
Me këtë fitore, Liverpul me 88 pikët e grumbulluara ngjitet sërish në krye të renditjes në Premier League, i ndjekur nga Mançeter Siti me 2 pikë dhe një ndeshje më pak.
Surpriza e futbollit ishullor, kishte ndodhte pak më parë, në takimin Everton-Mançester Junajtid. “Blutë” e Liverpulit shpartalluan 4-0 duke i turpëruar “djajtë” e Solskjaerit.
Golat u ndanë dy e nga dy. Riçardson (13’) dhe Sigurson (28’) në të parën dhe Digne (56’) e Uollkot 64’), që fiksoi shifrat 4-0 për Evertonin.
Por nga ky hap fals i Junajtid nuk ka përfituar Arsenali. “Topçinjtë” e Londrës kanë humbur një shans të mire për të ruajtur vendin e 4-t në renditje, pasi janë mundur 3-2 brenda në shtëpinë e tyre nga Kristëll Palas.