Luftëtari ndal Flamurtarin në frymën e fundit
● Flamurtari-Luftëtari 1-1 (Ribaj 50’/ Fili 88′). Flamurtari befasohet në fund, ndërsa kryesonte me një gol të rrallë. Luftëtari, ecuria pozitive vijon
Flamurtarit i shpëton fitorja nga duart. Një supergol interesant për nga ekzekutimi i Ribajt, vjen e neutralizohet nga Fili në fund të takimit. Ngjau në Vlorë, ndërsa Flamurtari vëndas, pati përballë fqinjët gjirokastritë.
Të dy ekipet krijuan volum loje dhe raste, por pa gjetur golin në pjesën e parë të ndeshjes. Më mirë vëndasit, por dhe Luftëtari shfaqet në situata të favorshme në zonën vlonjate. E dyta, filloi me golin e shpejtë të Ribajt, që i dha shansin Flamurtarit të udhëheqë për shumë minuta.
Disa herë vëndasit pranë golit të dytë, ndërkohë që bluzinjtë shtojnë ritmin dhe i afrohën ndjeshëm barazimit. Në fakt, ia dolën ateherë kur të gjithë menduan fitoren e radhës për të zotët e shtëpisë. Ndëshkimi vjen nga goli i Filit, i cili kishte provuar disa herë për të vendosur balancen. Erdhi në të 88-ën. Pika favorizon gjirokastritët, ndërsa Flamurtari ndërlikon situaten në luftën për një biletë europiane.
Trajnerët deklaruan pas ndeshjes.
Ilir Daja (Flamurtari): “Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe e dyluftuar, por rastet ishin me pikatore. Na vjen keq që morëm gol në minutat e fundit, por nuk duhet të jemi egoistë dhe besoj që edhe Luftëtari e meritoi këtë barazim. Po punojmë dhe po i marrim ndeshjet me radhë, për të arritur objektivin. Besoj se do të jetë e rëndësishme jo vetëm për ne si staf, që të arrijmë objektivin, por edhe për Flamurtarin dhe qytetin, që e presin prej vitesh daljen në Kupat e Europës”.
Julian Ahmataj (Luftëtari): “Një ndeshje mjaft e vështirë, ndaj një skuadre shumë të mirëvendosur, me lojtarë me eksperiencë. Skuadra u paraqit mjaft mirë, duke interpretuar në mënyrën e duhur takimin dhe arritëm të marrim një pikë të rëndësishme. Pësuam një gol që mund ta shmangnim, por reaguam mirë dhe morëm një barazim të merituar, pasi i dhamë një ritëm mjaft të mirë ndeshjes. Unë nuk transmetoj presion te skuadra, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, Unë u kërkoj lojtarëve vetëm që të vrapojnë dhe të luajnë futboll, pasi për rezultatin jam unë ai që mban përgjegjësi”