Ajaks magjik, Mesi diktaturë Junajtid…

Juventus-Ajaks 1-2 (Ronaldo 28’/ De Bek 35’, De Ligt 68’)
Ajaksi i Amsterdamit, konfirmohet skuadra e momentit në Europë. Holandezët sonte në mbrëmje në Torino i dhanë shuplaken e radhës kundërshtarëve në Champions, ndërsa në radhë, ishte Juventus i Kristiano Ronaldos.
Të zotët e shtëpisë, vinin në këtë takim të kthimit të turit gjysmëfinal, me avantazhin e fushës, sepse e vajtjes, kishte përfunduar në barazim 1-1. Megjithëse Ronaldo i dërgoi në avantazh bardhezinjtë, reagimi i Ajaksit, figuroi determinant, aq sa jo vetëm barazuan, por shënuan edhe golin e fitores në të dytën.
Presioni i madh bëri që tulipanët të gjenin edhe të tretin, por këtë herë, gjyqtari francez dalloi një pozicion jashtë loje. Loja apatike e skuadrës së Alegrit në fraksionin e dytë, nuk përligji besimin dhe pritshmëritë e tifozerisë dhe klubit. Konfuzë dhe pa mendim, bardhezinjtë mbetën peng i presionit vrasës të miqve.
Në këtë mënyrë, Juve del jashtë dhe Alegri që me gjasë i ka orët e numëruara. Ajaksi mbretëron si në kohë të arta, ateherë kur Krjuf me shokë zaptonin pa mëshirë Europën.B

Barcelona-Mançester Junajtid 3-0 (Mesi 16′, 20′, Kutinjo 61’)
Në takimin tjetër atë mes Barcelones dhe Mançester Junajtid, pati pak histori. Sepse në radhët e katalanasve është vetë historia me emrin e Lionel Mesit.
“Pleshti” edhe këtë mbrëmje shkëlqeu dhe goli i parë personal, pas një gabimi të mbrojtjes së Junatid, vlen për vitrinë. Me kontrollin e lojes dhe atë të rasteve në fushë, blaugranët shkojnë te goli i dytë.
Këtë radhë për të gjetur dopietën në këtë takim për Mesin, mendon vetë portieri De Gea me atë gafë aspak justifikuese. Topi i goditur nga argjentinasi, rrëshqet nën trupin e “butë’ të gardianit të “djajve” dhe pushon për herë të dytë në rrjetë.
Ndërkohë për të plotësuar mbrëmjen magjike të vëndasve, në skenë ngjitet një tjetër lationo-amerikan. Është radha e Kutinjos, i cili sikurse Mesi në golin e parë, realizon një tjetër gol magjik.
Minutat e fundit, janë duel i sulmit vendas me mbrojtjen mike, por gol të katërt nuk ka. Barcelona dëshmoi dhe sot, se është superfuqi , teksa në pikën kyçe të sezonit, gëzon formë optimale.