Duka kërcënon: Nuk do të mbyllim më sytë!

Në mjediset e hotel “Tirana Internacional”, ashtu siç ishte paralajmëruar, Federata Shqiptare e Futbollit po zhvillon Asamblenë e Zakonshme me praninë e të gjithë anëtarëve të saj.

Në fjalën e tij, presidenti i FSHF-së Armand Duka, ishte i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë, duke i kërcënuar klubet se nuk do të ketë më tolerime ndaj shfaqjeve të dhunës, apo edhe të fiksimit të rezultateve sportive.

“Gjatë garave nuk i kemi shpëtuar dhunës apo fiksimit të rezultateve. Duhen hapa cilësorë që hidhen nëse lëmë mënjanë interesat e vogla dhe bashkëpunojmë me të gjithë aktorët. Është i nevojshëm të rishikohet sistemi i licencimit, mbyllja e dy syve, siç ka ndodhur, nuk do të ndodhë më kurrë. Nuk do të ketë impiante të papërshtatshme për të luajtur, nuk do të tolerojmë më diçka të tillë. Dhuna dëmton rëndë produktin tonë, lufta ndaj këtij fenomeni kërkon bashkëpunim më të madh me të gjithë,” – deklaroi ndër të tjera presidenti Duka.

Në këtë Asamble u bë analiza e punës mes dy asambleve, u miratuan raportet financiare për vitin 2019, pas auditimit përkatës, si dhe u zyrtarizuan disa ndryshime në bazë të propozimeve të bëra.

Ndër propozimet më interesante është ajo që ka të bëjë me pagat e lojtarëve. FSHF propozon që koha e shlyerjes së futbollistëve, sipas kontratave, të kalojë nga 3 muaj vonesë në vetëm 30 ditë. Nëse ky afat kalohet, atëherë klubi përkatës mund të penalizohet nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve.

Asambleja e Zakonshme gjithashtu zyrtarizoi si anëtarë të saj edhe disa emra të rinj, si Shënkolli, Vora, Oriku, Internacional dhe Spartaku, ndërkohë që përjashtoi disa klube, si Sukthi, Himara, Adriatiku Mamurras, Pojani, Poliçani, Bilisht Sport, Fieri, KS Vlora, Olimpik, që vetëm ekzistonin në letër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!