Tirana merr frymë, Teuta vazhdon pikiadën
● Teuta-Tirana 1-3 (Kamara 73’/ Oduamandi 42’, Hasani 66’, Karabeci 75’), një fitore që vlen më shumë se 3 pikë për bardheblutë.
3-1 fitoi Tirana në “Niko Dovana” ndaj Teutës. Ishte një fitore me vlerë më tepër se sa 3 pikë. Ishte fitorja e mbijetesës për bardheblutë.
Ndërkohë Teuta rregjistron humbjen e katërt radhazi, duke iu larguar akoma më tepër Europës dhe futur “djemtë e detit” në një krizë të pashpjegueshme edhe nga trajneri Shkëmbi. Durrsakët aktualisht renditen të pestës me 4 pikë më pak se sa Flamurtari.
Bardheblutë, rrugën e fitores e hapën në minutën e 42-të me anë të Oduamandi që shfrytëzoi një pas të saktë të Kobinas. Në të 66-tën minute, mesfushori Hasani do të realizonte dhe ta dyfishonte epërsinë e bardhebluve në 2-0. Do të ishte sërish Kobina njeriu i pasit të fundit për Tiranën.
Në minutën e 72-të mesfushori i durrsakëve Kamara do ta ngushtonte rezultatin në 2-1, por kjo rihapje e lojës do të zgjaste veç 3 minuta. Kapiteni i kryeqytetasve, pas një aksioni të gjatë, do të gjuante fuqishëm dhe do të fiksonte fitoren 3-1 të Tiranës.
Bardheblutë do të ishin “padronët” e fushës së “Niko Dovanës”, ndërsa durrsakët do të ishin hija e vetvetes, të pafuqishëm për të reaguar dhe ndryshuar sado pak rrjedhën e këtij takimi, që foli i gjithi për kryeqytetasit e etur për të fituar.
Pas këtij rezultati, bardheblutë e kryeqytetit, “të ndihmuar” edhe nga fitorja e Skënderbeut në Korçë ndaj krutanëve, marrin frymë më lehtë dhe duket sikur rigjetën veten. Diferenca e tyre me Kastriotin tashmë është 6 pikë dhe mbi të gjitha me një moral më të lartë.
Trajnerët e të dy skuadrave deklaruan pas ndeshjes:
Bledi Shkëmbi (Teuta):“Të humbasësh nuk është fundi botës, por kështu si humbim ne, ndoshta është fundi i botës. Ishte një ndeshje e shëmtuar, ku në asnjë moment nuk ishim në lojë. Një ndeshje ku nuk patëm dëshirën minimale për të luftuar apo fituar. Gjëja më e thjeshtë është që të luftojmë, por ne na ka humbur kjo pjesë. Mendoj se kemi shumë probleme si skuadër në tërësi. Kemi shumë lojtarë jashtë forme, kjo na bën të vuajmë në fushë, dhe nuk jemi të gatshëm psikologjikisht për ta luajtur një ndeshje.”
Ardian Mema (Tirana): “Loja më jep garanci. Ekipi u shpreh mirë në shumicën e lojës. U rikthyem te lojërat e mira. Duke luajtur mirë, edhe fitohet. Kjo është një ndeshje, tani të shohim në vazhdimësi, të shohim si do jenë në formë këta lojtarë. Besoj se ekipit i është rikthyer fizionomia që patëm në fazën e tretë. M’u rikthyen edhe ato kujtimet e mira, por një ndeshje është.”(Supersport)