Erkand Qerimaj, i dyti në baterinë B
Erkand Qerimaj është peshëngritësi i dytë shqiptar që konkurroi në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. Ai garoi në grupin B për peshën deri në 81 kg., duke e përjashtuar paraprakisht veten nga zona e medaljeve.
Në shkëputje, Qerimaj filloi garën e tij me peshën 155 kg, për ta mbyllur këtë stil pas tri provash të suskseshme në shifrat 159 kg. Ky rezultat e renditi atë në vendin e dytë, pas spanjolit Mata që ngriti 160 kg.
Ndërkohë, në stilin e shtytjes, Qerimaj e filloi dhe e mbaroi garimin me 188 kg, pasi dështoi në dy tentativat e tjera për të ngritur 193 dhe 194 kg.
Në përfundim, me garëshin prej 347 kg, peshëngritësi ynë Erkand Qerimaj u rendit në vendin e dytë në baterinë B.
Pas përfundimit të garave edhe në grupin A, ku do të konkurrojë peshëngritësi tjetër shqiptar Daniel Godelli, do të bëhet edhe renditja përfundimtare e shtangistëve që konkurruan në peshën deri 81 kg.