Teuta, krenaria e koshit shqiptar…
● Basketbollistët durrakë u mundën në finalen e Ligës Ballkanike, që gjithsesi përbën një sukses historik për koshin shqiptar
Në ndeshjen finale përballë skuadrës së Blokotelnas nga Maqedonia e Veriut, baskebollistët tanë durrsakë të Teutës u mundën 82-68, duke u renditur të dytët në Ligën Ballkanike të koshit.
Mungesa e përvojës, harxhimi i energjive ndaj bullgarëve, lodhja, natyrisht edhe emocionet, ishin disa nga arsyet që i çuan basketbollistët durrsakët në humbjen e kësaj finaleje. Por ja që ndodhka, që edhe humbja të konsiderohet si sukses.
Pavarësisht dështimit për ta fituar trofeun, Teuta është skuadra që tashmë e ka shkruar emrin e saj në historinë e koshit shqiptar, madje edhe në atë të gadishullit Ballkanik.
Teuta është finalistja e sezonit 2019, ndeshje që u zhvilluan në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë. Turneu “Final Four” i Ligës së Ballkanit në basketboll, u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.
Gjithsesi, suksesi i Teutës nuk duhet të shërbejë për Federatën Shqiptare të Basketbollit, si mbulesë për të harruar problemet e mëdha dhe serioze që ka basketbolli shqiptar, çka bëhen evidente në arenën ndërkombëtare.