Gëzim Krasniqi, lamtumirë sezonit…
Kukësi humbi shumë të shtunën në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Jo vetëm ndeshjen 2-1 ndaj Kastriotit për javën e 27-të të Superiores. Jo vetëm një shans të mirë për t’i afruar Partizanit kryesues. Jo vetëm trajnerin Ramadan Ndreu, si pasojë e këtyre “fatkeqësive”.
Skuadra e Kukësit, në përballjen ndaj Kastriotit, në minutën e 13-të humbi edhe një nga mbrojtësat e saj të qendrës, Gëzim Krasniqin, i cili u largua nga fusha i dëmtuar. Sot mësohet se dëmtimi i kavajasit shtatlartë, nuk ka qenë diçka kalimtare.
Sipas mjekëve specialistë, 29-vjeçari Krasniqi me gjasa i ka dhënë lamtumirën parakohe sezonit, pasi rikuperimi i tij kërkon një kohë relativisht më të gjatë se sa fundi i majit.
Kësisoj, trajnerit të ri të kuksianëve Ernest Gjoka, do t’i duhet të mendojë edhe për zëvendësimin e Kraniqit për sfidën e së mërkurës ndaj Laçit në transfertë, ndërkohë që ende edhe kapiteni Ylli Shameti, nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për në fushë.