“Tani kemi nevojë për pikë, jo për lojëra!”

Trajneri i bardhebluve ka qenë i qartë në konferencën për shtyp në prag të transfertës së nesërme ndaj Flamurtarit. Për Tiranën e Memës tani në plan të parë do të jetë grumbullimi i pikëve.

Trajneri kryeqytetas nuk e ka fshehur pakënaqësinë për lojën e zhvilluar ndaj Laçit për Kupë, ashtu siç ka pranuar se në “familjen” bardheblu situata psikologjike ka ndryshuar.

Ai gjithashtu, nuk e ka fshehur edhe frikën për ndonjë aleancë të mundëshme në këtë fund kampionati, prandaj nuk duhet gabuar në asnjë ndeshje. Kjo edhe ndaj Flamurtarit, skuadër për të cilën Mema, foli me respekt…

Mungesat –“Futbolli ka dëmtime dhe kartonë. Daja nuk do të jetë i gatshëm për nesër, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër është e gatshme”.

Loja –“Mënyra si luajtëm në Laç më shqetësoi. Ekipi u mundua të administrojë, por doli nga loja e vet. Topin e kishim ne dhe kemi pasur shumë mundësi të mira, por nuk kemi arritur të shënojmë. Ekipi më shqetësoi, pasi lojtarët ishin te shpërqendruar. Kanë bërë gabime, por duhet të shohim para. Për Tiranën vijnë ndeshje të rëndësishme. Ekipi ka nevojë për pikë dhe jo për lojëra të bukura. Janë pikët ato të cilat na krijojnë qetësi.

Atmosfera –“Me Laçin ndoshta ka ndikuar edhe konflikti. Atmosfera në Laç ishte e mirë dhe duhet të përqendrohem te ekipi im. Jam trajner dhe i përkas vetëm fushës dhe nuk i përkas asaj që ndodh jashtë fushës”.

Aleancat –“Më shqetësojnë aleancat për në ndeshjet e radhës. Ekipi mund të kthehet te lojërat e mira. Duhet të luftojmë për të arritur rezultatet e fazës së tretë. Ekipi ishte i qetë, ndërsa tani gjendja është më e rënduar. Qetësia për të punuar? Edhe nëse nuk e kam, më duhet që ta gjej”.

Kastrioti-Kukësi –“Atje nuk është fushë e mirë, por Kukësi i ka cilësitë. Fusha e keqe barazon të mirët me të dobëtit, por Kukësi mund të fitojë në Fushë Krujë, ashtu siç edhe mund të humbasë. Shpresoj të luajë për veten e vet, jo për ne. Nëse ka ngjarje si na ndodhi ne, na vjen keq për futbollin shqiptar”.

Mungesa golit –“Nuk na mungojnë rastet, ka munguar përgjegjshmëria në mbrojtje dhe sulm. Edhe me Hasanin kam folur që duhet të tregohet më i përgjegjshëm për rastin që humbi në Laç. Ne na duhen pikët dhe jo spektakli”.

Flamurtari “Është ekip i mirë dhe ka një trajner të mirë me të cilin kam punuar. E di si përgatiten ndeshjet, do mundohemi të jemi në ekuilibër për të mos pësuar gol dhe të mendojmë për rezultat pozitiv. Më duhet të përgatis ekipin nga ana psikologjike. Kur i ke pikët e nevojshme, je më i lirshëm se kundërshtari, por ne nuk kemi se çfarë humbasim. Duhet të bëjmë detyrat në çdo ndeshje”.

Greca –“Ka bërë mirë me asistet, pavarësisht se nuk ka shënuar. Në javët e fundit kanë munguar edhe asistet dhe mund të ketë pasur një rënie. Duhet ta ndihmojmë edhe nga ana psikologjike, pasi ditët në vijim, mund të jetë më mirë. Megjithatë, grupi është i pari dhe pastaj vijnë individët“, – ka deklaruar ndër të tjera trajneri Mema gjatë konferencës për shtyp.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!