Pas 24 orësh, trajneri Canaj – prapaktheu!

24 orë ka zgjatur dorëheqja e Agim Canaj, si trajner i Vllaznisë. Pas bojkotit të stërvitjes dhe sensibilizimit të problemit te kryebashkiakja Voltana Ademi, zhvillimit të kontakteve dhe mbledhjeve në Bashkinë e Shkodrës, duket sikur situata po normalizohet në radhët e kampit kuqeblu.
Klubi Vllaznia ka publikuar një njoftim të shkurtër, në të cilin lajmëron se trajneri Agim Canaj do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij në krye të pankinës së skuadrës shkodrane.
“Pasi jemi njohur me shqetësimin e ngritur nga stafi teknik ditët e fundit për veprime anti-sportive në ekipin e parë, po e shqyrtojmë me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të klubit dhe tifozëve dhe në momentin kur të ketë një vendimmarrje, si gjithmonë, do t’i bëhet e njohur mediave dhe opinionit publik.
Po ashtu, sqarojmë se stafi i Klubit të Futbollit “Vllaznia” vazhdon i pandryshuar punën e tij të përditshme për të finalizuar objektivin e ringritjes në Superligë.”
Të mërkurën ekipi i Vllaznisë nuk zhvilloi stërvitje për shkak se persona pranë skuadrës, kishin ushtruar presion ndaj teknikut Canaj, për aktivizimin e tyre me dhunë në formacion.
Trajneri kryeqytetas njoftoi administratorin Lici dhe dha dorëheqjen, duke e parë të pamundur vazhdimin e detyrës së tij në këto kushte.
Pas rikthimit të trajnerit kryeqytetas Agim Canaj sërish në krye të pankinës kuqeblu të Vllaznisë, duke sikur situata është normalizuar. Le të shpresojmë.