26-ta, “portreti” i një jave të trazuar
Nga Erga Kruja Kenga
Kombëtarja ende pa një trajner të konfirmuar. Në stol Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, por asnjeri prej tyre nuk e di se sa do të zgjasë aventura e tyre në krye të kësaj Kombëtareje, pasi akoma më shumë, asnjeri prej tyre nuk e di nëse është ende i emëruar apo jo.
Në letër shumë emra, nga Edi Reja apo Di Kanio e deri te Pakult, që ka drejtuar Kukësin. Mbase do të mund të kemi luksin që të na drejtojnë Donadoni, e pse jo edhe Kapelo e Lipi. Çdo gjë është e mundur, aktualisht Kombëtarja është një pikë e nxehtë.
Jo më pak është edhe kampionati i Superiores kur ka lënë pas javën e 26-të. Pas barazimit 1-1 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me Kukësin, “të kuqtë” e Partizanit pas 26 vitesh janë më pranë se kurrë me titullin e munguar. Trajneri Gega thotë, se 9 pikët diferencë janë pak. Po sa pak? Po të paragjykojmë ndeshjet e 10 javëve të mbetura, ato duken shumë!
Tirana në dy javë, dy herë e “penalizuar”. Bardheblutë kryeqytetas me lojë kanë treguar se meritojnë shumë, por me pikët duhet të shtrëngojë dhëmbët, për t’iu larguar kërcënimit të mbijetesës.
Skënderbeu, vjet kampion, tani është bërë si fondacion, dhuron gjithçka sepse nuk ka asgjë, as për të fituar dhe as për të humbur…
Me pak fjalë kemi një kampionat, i cili pas largimit të Kamzës, bukurinë do ta ketë vetëm te Kupa e 67-të e Shqipërisë, pasi duket se verdiktet e Superiores në masën më të madhe janë të zgjidhur.