Tirana dhe Laçi, ndëshkime pafund…
Komisioni i Disiplinës i ka dhënë verdiktet e tij për aktet e dhunshme të ndeshjes Tirana – Laçi (1-1), takim ky i luajtur të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”. Viktimë e tij ka qenë klubi bardheblu i kryeqytetit. Për goditjen me shishe të vijërojtësit Nertil Bregasi, Disiplina ka vendosur t’i mbyllë dyert e stadiumit “Selman Stërmasi” për tifozët në 4 ndeshjet e radhës të bardhebluve.
Për ngjarjet e dhunshme në mjediset e brendshme të stadiumit të fiksuara nga kamerat e sigurisë, të cilat tashmë janë bërë publike dhe qarkullojnë thuajse në të gjithë rrjetet sociale, sulmuesi i bardhebluve Majkëll Ngo është dënuar me 5 ndeshje pezullim, ndërkohë që nuk i kanë shpëtuar ndëshkimit disiplinor edhe presidenti i kurbinasve Pashk Laska dhe djali i tij Kleo Laska. Masa ndëshkimore janë marrë edhe për të dy zv.trajnerët e skuadrave të Tiranës dhe Laçit.
Gjithsesi, në raste të tilla, ka vend për mjaft diskutime. Komisioni i Disiplinës, edhe kësaj here, me vendimet e tij dëshmoi se nuk përdor të njejtën standart gjykimi për të njejtën veprim të ndëshkueshëm nga rregullorja e disiplinës.
Ja dhe vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës, për ngjarjet e fundjavës së shkuar:
● KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 66/3/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
● Lojtari i KF “Tirana”, Michael Ayodeji Ngoo, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
● Zyrtari i KF “Tirana”, Emanuel Egbo, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
● Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska, për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në stadium, në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
● Zyrtari i KF “Laçi”, Kleo Laska, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9 (nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
● Zyrtari i KF “Laçi”, Klevis Hima, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9 (nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
FK “Partizani”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatoreëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rreglloret e tjera të FSHF.
● KF “Vllaznia”, paralajmërohet se në rast përsëritje të vonesave në fillimin e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.
● Zyrtari i KF “Shënkolli”, Albert Rrusti, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
● Zyrtari i KF “Vora”, Rezart Maho, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.