Lumturi Pepa, kampionia që nuk njeh limite…

Një jetë me sportin, pretendon Lojrat Olimpike.

Njihet se ka garuar me pushkë 1 x 60 preçizion. 3 x 20 standart. 1 x 40 pushkë me ajer të kompresuar dhe tani 1 x 60 me pushkë, po me ajer të kompresuar. Lumturi Pepa, në një rrëfim special për “Sporti IM“, i thotë të gjitha. Ka veshur fanelën e Partizanit, Studentit dhe së fundi atë të Flamurtarit të Vlorës.

Jeta ime sportive ka nisur kur une isha 12 vjec, fare rastesisht. Me pas fillova të garoj dhe jam çuditur kur në garen e parë, zura vëndin e parë. Isha vetëm 14 vjec me pionierët, teksa garat u zhvilluan në Berat . Më pas, fillova ta doja shumë atë që bëja, pa ditur se një ditë, do të isha e lidhur përjetësisht me sportin. Nuk mungoja kurrë në poligon sepse çdo ditë, ishte një pikë dashurie për sportin tim të dashur.

Emocionet shtoheshin, ndërsa pas çdo gare, isha gjithmone e padiskutueshme në vendet e para. Sot, numroj gati 90 vënde të para si kampione dhe dhjetra diploma të vëndeve të dyta e të treta të cilat i ruaj  me shumë dashuri. Vitet dhe ditët e mia në sport, kanë qënë të mbushura plot emocione. Njëra garë pasonte tjetrën dhe ditët ishin plot plane për të nesermën. Edhe vonë,shkoja në poligon të gjuaja për të përmirësuar ndonjë gabim të  konstatuar gjatë stervitjes në grup.

Trajnerët e mi, kanë merita të veçanta në formimin tim si qitëse. I pari, Ismet Dauti. Më pas Kristina Deliu, e cila ka mbetur në memorjen time si njeriu me aq shumë pasion për qitjen. Falë përkushtimit dhe këmbënglujes së saj, erdhën me shpejtësi rezultatet dhe kjo bëri që të më ftonin me ekipin e të rriturave. Modeli i saj, më shoqëronte cdo ditë, edhe sot, ndërsa profesoresha punon po me aq pasion me të rinjtë në ekipe të ndryshme të Italise. Ka shumë personazhë. Ja, Ermira Dingu tipiku i kampiones. Për të më bërë kampione shprehej t’i merrja 10-at për të, e jo per veten time. Mënyrë për të shtuar adrenalinen time si sportiste. Me pas, kam punuar me Alush Allën, te cilin i gjithe brezi im i qitjes, e kujton si njeriun e qetë e babaxhanin të poligonit.

Në ekipin kombëtar kam marre pjesë duke përfaqesuar vendin në kompeticionet ndërkombëtare. Podiumi, ëndrra e çdo sportisi erdhi në garat ballkanike, duke zënë vëndin e tretë teksa në Lojerat Mesdhetare te “Barit 1997”, arrita të kualifikohem në finale. Sigurisht, dëshira ka qënë e madhe per tu ngjitur në kualifikime jashtë. Kushtet tona ishin dhe janë të privuara.

Të vjen keq që sportet e tradites lihen shpesh mënjanë. Sporti ynë nuk bëhet me një top dhe vrapo për ta berë kosh…. teknika dhe eksperienca e garave nuk na mungon ama kostumet tona sportive, baza materiale aq e domosdoshme nëpër gara, ishin dizavantazhi ynë i madh. Përtej këtyre, garoj akoma po me aq pasion si përpara 20 viteve. Me Flamurtarin e trajnerit Flamur Seferi. Dëshira dhe synimi ambicioz shkon drejt Lojrave Olimpike me synimin që të gjitha goditjet, të mbrrijnë në dhjetë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!