Java e 26-të, koha e “biletave” europiane
Nga Shpëtim Gjoshi
Me kthimin pas pushimeve, ku futbolli ynë u përfshi në eliminatoret e Euro 2020-s, kjo javë e 26-të, me gjasa do të jetë vendimtare për titullin kampion, “biletat” europiane, por ndoshta do të na mësojë se çfarë do të sjellë edhe për fundin e renditjes.
Rrallë herë më parë ky kampionat i Superiores ka qenë kaq emocionues. Gara për në Europë, sepse Partizani vendin për në Champions League duket se e ka “blinduar”, do të jetë nga Kukësi deri te Flamurtari, ku diferenca është vetëm 9 pikë. Një rivalitet i tillë ka munguar më parë dhe nuk ka patur kaq ekuilibër.
Flamurtari në këtë javë të 26-të, e cila është thelbësore, është i favorizuar nga dënimi i Kamzës dhe merr 3 pikë në tavolinë.
Kështu vendimtare kjo javë do të jetë për Laçin, që ndoshta do të ketë mundësinë e fundit në fushën e Tiranës, pas barazimit me Flamurtarin në shtëpi.
Skënderbeu, skuadra e Orges Shehit, do të ketë një përballje që në letër duket e lehtë, por vetëm në letër. Luftëtari ende nuk është i shpëtuar dhe nga sot e deri në fund, i duhet të mbledhë sa më shumë pikë.
Dy takime “big” do të jenë Kukësi – Partizani dhe Teuta – Kastrioti. Kuksianët janë të detyruar të marrin pikë të plota për të shpresuar më pas në hapa fals të Partizanit, që kërkon të vazhdojë të bëjë figurë pozitive.
Klub tjetër që nuk duhet të largohet pa 3 pikë është Teuta, veçse përballë do të ketë një Kastriot të rivitalizuar, ku një fitore e mundshme do të ishte fondamentale për të.