Dhuna e Kamzës, “filmi” horror i javës së 24-t…

Nga Erga Kruja Kenga

Partizani dridhet në derbi, por në fund ia del të marrë një pikë, ndërkohë që nga pasqyrat shikon Kukësin që i afrohet në 6 pikë.

Teuta bën vetëvrasje me Skënderbeun dhe shpërdoron avantazhin e dyfishtë, duke i thënë me shumë mundësi lamtumirë titullit, ndonëse në objektivin e saj është edhe Europa.

Tirana duket se ka gjetur ritmin e duhur, pasi në 7 ndeshjet e fundit ka marrë15 pikë, shifër e denjë për titull, pavarësisht se është ende në vendin e 7-të.

Në fund kemi Luftëtarin që shkërmoqet përballë Kukësit, ndërkohë që Kamza dhe Kastrioti marrin vetëm nga 1 pikë, ku ajo e krutanëve në Vlorë, është shumë e vlefshme.

Temë më vete, e nxehtë, një precedent i dënueshëm dhe i papranueshëm, ishte shfaqja e dhunës në stadiumin e Kamzës, ku fundi i ngjante një filmi aksion-horror.

Një grup barbarësh kamzalinj dhunojnë fizikisht gjyqtarin e ndeshjes Eldorian Hamiti. Rreth këtij skandali të dënueshëm ka folur edhe FSHF, e cila, para se të flasë Komisioni i Disiplinës, i ka bërë apel Policisë së Shtetit për të qenë e pranishme në fushat e futbollit.

Sipas zyrtarëve të saj, Sekretarit të Përgjithshëm Ilir Shulku, vazhdimi i kampionatit është në rrezik, duke e lënë evazive dhe të hapur qëndrimin që do të marrë FSHF, qoftë për dënimin e dhunës së shfaqur në Kamëz, por edhe për vijimin dhe të ardhmen e kampionateve në vendin tonë.

Të pranishme kanë qenë edhe gjykimet amatoreske në disa takime, të cilat tani janë bërë bashkudhëtare të futbollit tonë, veçanërisht tani që kampionatet po shkojnë drejt fundit.

Sidoqoftë, dhuna në futbollin shqiptar, e shfaqur me tërë shëmtinë e saj, është dukuria që e sfumoi sportivitetin e javës së 24-t të kampionatit të 80-të kombëtar.

Ajo nisi me një shfaqje të bukur, të premten me derbin e kryeqytetit Tirana – Partizani dhe u mbyll të dielën, me skandalin e turpshëm të dhunës në Kamëz, në fundin e takimit Kamza – Laçi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!